Ibra shtyn debutimin, PSG synon edhe Kaka

25/07/2012 10:40

Ibrahimovic është një lojtar i PSG-së, skuadrës franceze që po trondit merkaton verore të futbollistëve me shumat marramendase të shpenzuara për formuar një grup yjesh.

E sigurisht, suedezi është një ndër ata futbollistë që di të rri në qendër të vëmendjes. Sulmuesi shtatlartë shtyu debutimin me fanelën e “sheikëve” me arsyetimin se ndjehej i lodhur dhe se nuk ishte ende gati për të luajtur.

PSG mbërriti ditën e martë në Nju Jork për fazën përgatitore në pritje të hapjes së sezonit të ri. Në konferencën e shtypit të klubit, tekniku italian i nënkampionëve francezë, Carlo Ancelotti deklaroi synimin e tij për të aktivizuar Ibrahimovic të paktën 15 minuta në takimin miqësor me Washington DC. Por suedezi nuk ndante të njëjtin mendim me teknikun e tij.

“T’i marrim gjërat me ngadalë. Nuk ndjehem ende gati për të luajtur. Jam i lodhur. Të ecim hap pas hapi”, tha ai. E shtypi francez me “hap pas hapi” nënkupton debutimin e Ibra-s në miqësoren e 4 gushtit kundër Barcelonës, një ‘mundësi’ për hakmarrje për “dëbimin si i pavlerë” që katalanasit e udhëhequr në ato ditë nga Guardiola, i bënë sulmuesit shtatlartë.

Ndërkohë, megjithëse ka grumbulluar disa nga emrat më të mëdhenj të futbollit botëror, PSG s’ndalet me kaq. Nga Franca mbërrijnë zërat për një ofertë të mbërritur në dyert e Realit të Madridit për brazilianin Kaka, që me Mourinho-n trajner, nuk është se ka gjetur shumë hapësira për t’u aktivizuar me “Los Blancos”.

Për momentin gjithcka mbetet tek titujt e gazetave, por ku ka zë, s’është pa gjë…ndaj edhe Milani, nëse kërkon të rimarrë ish-asin e tij, duhet të nxitojë.

Top Channel