Privatizimi i “Albpetrol”, një rikthim tek integrimi ekonomik me Moskën

24/07/2012 00:00

ANDREA STEFANI – Nga Vladimir Lenini te Vladimir Putini? Ndërsa betohet
për integrim me Europën dhe Perëndimin, qeveria shqiptare është në prag
të vendimeve historike që mund të çojnë në një integrim thelbësor
ekonomik të Shqipërisë me shtete autokratike si Rusia, dëmtimin e
lidhjeve të saj me Perëndimin, si dhe cenimin e integrimit ndërkombëtar
të Kosovës.

Një i tillë hap është edhe privatizimi i “Albpetrolit”, kompanisë shtetërore të nxjerrjes së naftës në Shqipëri. Dhe procedurat tenderuese të privatizimit kanë krijuar mundësi për blerjen e këtij aktiviteti strategjik edhe nga kompani të fuqishme ruse duke sfiduar rrezikshëm shanset e një integrimi ekonomik të vendit me Perëndimin. Alarmi është ngritur, para pak ditësh, në një artikull të analistit Janusz Bugajski. Në artikull shkruhet, e zezë mbi të bardhë, se “Tirana zyrtare përballet me një zgjidhje strategjike: Ngatërrimin me rrjetin energjetik të Rusisë apo marrëdhënie më të ngushta me SHBA”? Gjithashtu, këshillohet qeveria shqiptare që të jetë syçelët që të mos bjerë në kurthin energjetik të Moskës. A do t’i dëgjojë Kryeministri Berisha këto këshilla? Apo ato do neglizhohen duke faktuar se shitja e naftës shqiptare Moskës apo Pekinit, nuk është një lapsus, por një strategji e qëllimshme e Tiranës?

***

Është krejtësisht absurde që ndërsa 90 për qind e shqiptarëve aspirojnë integrim me Europën dhe Perëndimin, qeveria e tyre të ndërmarrë hapa që shtyjnë, si në kohën e diktatorit Hoxha, për një integrim ekonomiko-strategjik me Lindjen. Dhe kjo ndodh në një moment kur – sikundër shkruan edhe Bugajski – në ndjekje të dominimit rajonal Vladimir Putini e vlerëson kontrollin e karburanteve, si një mjet kryesor për të rritur staturën gjeopolitike të Rusisë. Në funksion të kësaj strategjie, dy kompani shtetërore ruse “Gazprom” dhe “Rosneft” kanë shfaqur ambicie për të blerë “Albpetrolin” e nxjerrë në privatizim nga qeveria dhe për të depërtuar kështu në industrinë energjetike të Shqipërisë. Po sipas Bugajskit, Shqipëria është bërë një nga shënjestrat e Moskës në Ballkanin Perëndimor. Krijimi i vartësisë energjetike prej Moskës, shfaqet kështu si një element kyç i strategjisë së Putinit dhe “kur ai i vë drynin një vendi ekonomikisht, korrupton elitat politike dhe ato të biznesit, duke minuar pavarësinë kombëtare”. Po sipas Bugajskit, qëllimi është të promovohen regjimet miqësore ndaj Moskës, të minohet kohezioni europian dhe të zvogëlohet ndikimi amerikan. Tani erdhi momenti të shtrojmë pyetjen: A është e prirur qeveria të shmangë kurthin energjetik të Putinit apo ajo e sheh më të favorshëm, strategjikisht, bashkëpunimin, në këtë rrafsh, me Moskën sesa me Perëndimin dhe Uashingtonin?

***

Justifikimet e autoriteteve shqiptare se Ministria e Ekonomisë nuk ndalon asnjë kompani të garojë në tender nuk pi ujë. Privatizime të pasurive të tilla natyrore dhe strategjike, si nxjerrja e naftës, bëhen në radhë të parë duke u nisur nga kriteri politik dhe pastaj ai ekonomik. Në të tilla raste është e këshillueshme të aplikohet tenderi i kufizuar që fton “partnerin më të përgjegjshëm ndërkombëtar”, dhe jo tenderi i hapur. Sepse synimi duhet të jetë jo vetëm realizmi i një shitjeje të suksesshme, por edhe që blerësi dhe partneri i ardhshëm, të mos ketë qëllime strategjike dhe gjeostrategjike të ndryshme apo të kundërta me ato të Shqipërisë dhe aleatëve të saj strategjikë. Në rastin konkret me BE, SHBA dhe NATO-n. A do të lejojë qeveria shqiptare që privatizimin i naftës shqiptare t’i shërbejë strategjisë putiniste që “të minohet kohezioni europian dhe të zvogëlohet ndikimi amerikan” në Ballkanin Perëndimor? Apo do të frenojë ambiciet e Rusisë? Mbetet të shihet por, ndërkaq, analiza e fakteve nuk mund të mos ngjallë skepticizëm. Sepse janë shfaqur faktorë që mund të nxisin Kryeministrin Berisha për të mbështetur dhe jo penguar strategjinë energjetike të Putinit. Një ndër këta faktorë është nevoja e rritur e qeverisë për burime financimi. Dhe kompani të fuqishme shtetërore si “Gazprom” apo “Rosneft”, për shkaqe që kuptohen lehtë, mund të ishin më të predispozuara për ta bërë realitet ëndrrën e qeverisë për një shitje deri edhe 500 milionë dollarëshe të “Albpetrolit”. Një tjetër nxitës për një konformim të mundshëm të qeverisë me gjeostrategjinë energjetike të Putinit, mund të bëhen vetë prirjet autokratike të Kryeministrit Berisha. Ndoshta ai e kupton se, herët apo më vonë, do të vijë momenti kur përplasja me Perëndimin dhe SHBA, për natyrën e regjimit që po instalohet në Shqipëri, do të bëhet e pashmangshme. Ndoshta mendon se nuk do të ishte keq sikur të krijonte aleatë të tjerë strategjikë, si Rusia apo edhe Kina, që do ta perceptonin si miqësor atë regjim që për SHBA dhe Perëndimin nuk do të ishte më i tillë. Nën këtë optikë, dhe vetëm nën këtë, merr kuptim edhe deklarata që Kryeministri Berisha bëri kohë më parë, gjatë një vizite në Hungari në prani të homologut të tij Orban: “…po punojmë për një paketë reformash në mënyrë që ta përshtatim ekonominë shqiptare në rrethanat e krijuara nga globalizmi, në një botë postperëndimore”. Një përshtatje që, në qoftë e tillë, do ta shndërronte Shqipërinë, siç shkruan edhe Bugajski, në një Serbi të dytë në Ballkan që do të përdoret “si një përfaqësuese ligjore për interesat e Moskës dhe bllokon zhvillimin ekonomik dhe integrimin ndërkombëtar të Kosovës”.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA