Masakra në kinema, 4 djemtë që dhanë jetën për të dashurat

24/07/2012 18:50

Midis 12 personave që humbën jetën në masakrën e kinemasë në Denver, SHBA, katër prej tyre ishin meshkuj, që dhanë jetën në përpjekje për të mbuluar nga plumbat të dashurat e tyre.

Alexander Teves, 24-vjeçar, humbi jetën duke mbuluar me trup Amanda Lingren, bashkëmoshataren që i kishte “rrëmbyer” zemrën dhe një mike tjetër të përbashkët.

”Isha shumë shumë e turbullt dhe nuk po e kuptoja se çfarë po ndodhte kur nisën të shtënat e para”, deklaroi Lindgren për “ABC News”. “Megjithatë, Alex e kuptoi menjëherë, më shtriu në tokë dhe më mbuloi, duke më thënë që të mos flisja. Kështu bëra. Ai ishte ëngjëlli im atë natë, tashmë është ëngjëlli im në qiell”, tha e përlotur e reja, e cila përshkroi se lidhja me Teves ishte aq e fortë, sa që ata nuk rinin kurrë më shumë se një orë pa folur edhe kur ishin në largësi.

Në radhën e nëntë të kinemasë, e njëjta histori u përsërit me John Larimer, 26-vjeçar rekrut i marinës dhe 23-vjeçares Julia Vojtsek.

”Ai i dalloi menjëherë të shtënat dhe në mënyrë instiktive më shtriu në tokë për të më mbrojtur. Sekonda më pas, u qëllua nga një plumb që duhet të më kishte zënë mua”, përshkroi situatën e reja, e cila e terrorizuar, kaloi minuta duke parë agoninë e të dashurit të saj, që i përgjakur ndërroi jetë i shtrirë përkrah.

Dy vajzat e tjera, të shpëtuara nga të dashurit e tyre, nuk mundën të kontaktoheshin nga mediat amerikane, pasi ishin shumë të prekura për të përshkruar atë që ndodhi.

Vrasësi James Holmes, qëlloi me breshëri në një sallë kinemaje në Aurora, pranë Denverit në Kolorado, gjatë premierës së filmit të Batmanit më parë gjatë javës.

Arsyet e këtij sulmi nuk janë zbardhur ende, ndërsa Holmes u shfaq i turbullt përpara gjykatës, duke krijuar bindjen se do të përpiqet t’i shpëtojë dënimit të mundshëm me vdekje me kartën e çmendurisë së përkohshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA