Inzaghi tërhiqet nga futbolli, bëhet trajner

24/07/2012 20:00

Filippo Inzaghi u tërhoq të martën nga futbolli i luajtur, duke pranuar ofertën e Milanit për t’u bërë trajner i skuadrës së të rinjve.

Pas përfundimit të kontratës në fund të sezonit të shkuar, “Superpippo” vendosi që të mbetej në xhiron e merkatos, duke theksuar se ishte ende tepër i dashuruar pas futbollit për t’u tërhequr prej tij.

Megjithatë, tashmë 38-vjeçar, me probleme të shumta fizike dhe pa një ofertë veçanërisht joshëse, golashënuesi vendosi që të varë “këpucët në gozhdë” dhe të pranojë ofertën për të mbetur brenda klubit të tij të zemrës.

Lajmin e dorëzimit të skuadrës së të rinjve në dorë të Inzaghi e deklaroi në faqen e internetit të Milanit drejtori sportiv i kuqezinjve, Ariedo Braida. ”Inzaghi do të bëhet trajner. Tashmë kjo është e sigurt me 100%”, deklaroi ai.

Përpara se të vendoste për tërheqjen, Inzaghi kishte pasur propozime për të luajtur në Serinë B të futbollit italian, në SHBA apo në klubin e Granadës, në Spanjë.

Top Channel