
Një komandant afgan i policisë dhe 13 oficerë nën urdhërat e tij dezertuan duke iu bashkuar talebanëve në krahinën perëndimore të Farahut, në atë që është dezertimi më i madh brenda radhëve të policisë deri më sot.
Komandanti, emri i të cilit nuk është bërë i njohur, ishte në drejtimin e 20 personave në një postobllok, kur vendosi të braktiste detyrën gjatë së dielës.
Së bashku me të, policët e shndërruar në militantë morën me vete armë të rënda, radio dhe disa makina, midis të cilëve edhe mjete të armatosura në përdorim nga ushtria amerikane, “Humvee”, versioni ushtarak i “Hummer”.
Farah është një prej zonave më të pasigurta në Afganistan.
Komandanti ishte vendosur të ruante një pikë strategjike në krahinën e Bala Bukakut, e konsideruar deri vonë si një prej bastioneve më të fortë të talebanëve.
Ndërsa NATO po përgatitet të tërheqë trupat e fundit nga Afganistani në vitin 2014, dezertimet dhe atentatet e militantëve të infilturar në forcat e sigurisë janë shndërruar në një prej fenomeneve më shqetësuese.
Më parë gjatë vitit, kapiteni Feti Vogli u shndërrua në ushtarin e parë shqiptar të rënë në misionin e NATO-s në vendin aziatik, pasi u qëllua nga një fundamentalist i veshur si polic afgan.
Top Channel