Skënder Minxhozi – Ka brenda një dilemë të hershme kjo puna e
imuniteteve të politikanëve e gjyqtarëve. Jo vetëm tani, kur po afron
heqja e tyre, por shumë kohë më parë.
Për shumë prej këtyre personave të veshur me imunitet, kjo lloj garancie duhet të kish pushuar së ekzistuari prej kohësh, për ata që kanë thënë apo kanë bërë dy kategoritë e mësipërme të zyrtarëve. Ka pasur politikanë që për nga bëmat e zullumet, jo që s’duheshin mbrojtur me status special, por duheshin dërguar para gjyqit një orë e më parë (disa prej tyre i kemi ende në podiumin e baballarëve të kombit). Ashtu si ka pasur e ka një numër gjyqtarësh që kanë liruar vrasës në sallën e gjyqit, që kanë hequr prangat nga duart e të fajshmëve, ose i kanë vënë ato në duart e të pafajshëmve. Këto dy kategori njerëzish duhej të ishin dënuar prej kohësh, e jo të përdornin në mënyrë abuzive ombrellën ligjore të imunitetit.
Por le të mos jemi edhe kaq naivë. Të paktën jo ne, qytetarët e këtij vendi, që kemi parë e dëgjuar jo pak në këto dy dekada, nga politika dhe drejtësia. Pa më të voglin dyshim, dy ndër segmentet më të korruptuara të këtij shteti. Imuniteti po hiqet jo vetëm sepse e kërkon bashkësia ndërkombëtare dhe procesi i integrimit, por sepse koniunktura politike e institucionale e momentit, i siguron njërës palë politike paprekshmëri totale. Me ose pa imunitet.
Edhe një herë më tepër, në këtë rrugëtim të nxituar ku shkel politika e këtij vendi në lidhje me imunitetin, Sali Berisha po i bie nga shtegu i pashkelur i blofit. E ka pasur taktikë të hershme këtë. Shumëkush mendonte në të shkuarën, se ai s’do ta bënte një gjë të caktuar, pasi dëmtonte veten: ai bënte pikërisht atë gjë. Kjo është një sjellje ku bashkohet dinakëria e lindur, me inatin e akumuluar të një pokeristi të vjetër politik. Një përzierje që e ka shtyrë e motivuar rregullisht Sali Berishën në karrierën e tij të gjatë e zhurmëmadhe, që të ndërmarrë rrugën e pashkelur, vendimin kontroversial, sjelljen ekstreme.
Ai po bën fiks të njëjtën gjë edhe sot. Sepse në letër, duket e pashpjegueshme që një qeveri e zhytur deri në fyt në korrupsion, e cila ka shitur ose po shet çfarëdo aseti, pasurie apo rrangullash që i ka mbetur ende në inventar, që lidh marrëveshje totalisht antikombëtare, që nënshkruan kontrata tërësisht të pafavorshme për interesin publik e që jep indulgjenca majtas-djathtas në formë licencash e lejesh gjithfarësh, vetëm për qëllime të vogla të momentit – kjo qeveri pra, nuk do të kishte kurrsesi interes që t’i hiqte vetes imunitetin që ia njeh deri më tani ligji. E pra kjo qeveri, kjo mazhorancë më saktë, bërtet nga mëngjesi në darkë për heqjen e imunitetit, duke shpejtuar të tregojë me gisht “miliarderët” përballë, opozitën, e cila në fakt e ka pësuar pjesërisht nga ana psikologjike, këtë dallgë të papritur e pasionante ndershmërie. E të mendosh se sido që ta marrësh, korrupsionin në një vend e bën qeveria, e jo opozita.
Është ky teatër absurd që s’duhet të na bëjë të kemi iluzione të lehta, apo të jemi naivë për heqjen e imuniteteve. Nëse i hedh një sy jetës së sotme institucionale, kupton diçka fare të thjeshtë. Kurrë më parë që nga fillimi i viteve 2000, një shumicë politike nuk ka pasur kaq shumë pushtet në këtë vend. Ikja e Bamir Topit dhe afrimi i zëvendësimit të Ina Ramës, e ndoshta edhe kreut të shërbimeve sekrete, së bashku me një numër lëvizjesh e spostimesh më të vogla që do të vijnë si pasojë e këtyre largimeve, po krijojnë gradualisht një panoramë institucionale, e cila po ngjyhet e gjitha në blu. Ajo që meteorologët e quajnë “stuhia perfekte”, është fare pranë. Një parti po merr të gjithë shtetin në dorë, në vitin e fundit të mandatit dhe kur mali i korrupsionit e ka vënë përfund, duke u kthyer de facto në një parti-shtet. Ky është realiteti. Dhe një rrethanë e tillë nuk ka sesi të mos ndikojë mbi debatin aktual rreth heqjes së imuniteteve. Sepse kjo kërkesë është padyshim një standard i pretenduar me forcë nga ndërkombëtarët, por ajo është njëkohësisht edhe një risk i shtuar që nesër në këtë vend të mos dënohet zyrtari i korruptuar, por kundërshtari i tij politik që ka pasur guximin ta akuzojë publikisht.
Imuniteti i hequr kërkon një demokraci funksionale. Sepse mesa kemi parë vitet e fundit, në karikaturën e demokracisë ku jetojmë, deputetët kanë shkuar në gjyq për një fjalë goje në Parlament, ndërkohë që nga ana tjetër, kur Kryeministri ka sharë me çfarë i ka ardhur në gojë kreun e opozitës, gjykata e lartë “e përndershme” ka pushuar padinë e personave të prekur nga sharjet në fjalë. Ky qëndrim i dyzuar është rreziku më i madh që fshihet pas heqjes së imunitetit, ashtu siç duan ta bëjnë sot ata që drejtojnë shtetin. Gërdeci, “Rruga e Kombit” apo videopërgjimi Meta-Prifti, dëshmuan se edhe heqja e imunitetit nuk është e mjaftueshme për dënimin e fajit e përgjegjësisë së politikanëve.
Mënyra sesi funksionon sot demokracia dhe shteti ligjor në Shqipëri, ka dëshmuar katërcipërisht se për një palë të caktuar politike heqja e imunitetit nuk do të thotë aspak një dënim, edhe kur faji e përgjegjësia ka qenë e dukshme dhe në sytë e të gjithëve, kurse për një palë tjetër, mbajtja e imunitetit nuk ka qenë ndonjë mburojë kushedi se çfarë, edhe kur përgjegjësia e faji kanë qenë shumë relativë. Drejtësia selektive, ajo drejtësi që motivohet politikisht apo në rrugë korruptive, e ka trajtuar imunitetin sipas një metri krejt të pandershëm.
E megjithatë, para se të hiqet apo modifikohet, imuniteti duhet të jetë subjekt debatesh të specializuara dhe reflektimesh serioze. Po preket Kushtetuta. Për herë të dytë në katër vjet. Nuk ka precedent më shqetësues sesa reforma kushtetuese e vitit 2008, të cilën njëra ndër palët iniciuese e konsideron publikisht sot si të gabuar. Me lehtësinë fluturake që shfaqin jo rrallë, duke parë kalendarët e axhendat kohore, më shumë sesa përmbajtjen e reformave të caktuara, ndërkombëtarët po shtyjnë për një ndryshim të pamenduar mirë, e mbi të gjitha, me rreziqe të mëdha për abuzim politik, për shkak të akumulimit të pazakontë të pushtetit në njërën dorë. E kjo dorë ka provuar se kur e ka pushtetin, abuzon pa iu dridhur qerpiku. Na rroftë statusi pastaj, nëse sapo të hyjmë në Europë, do të nisim të dëgjojmë sirenat e shkeljes së të drejtave të njeriut. Po nga kjo Europë, që sot po na thotë se duhet të votojmë shpejt e shpejt më 6 gusht, se po ikën treni i radhës për në Bruksel.
Top Channel