Nëse pretendimet e një koreanojugori do të rezultojnë të vërteta, atëherë qeni i tij do të shndërrohet në të parin e historisë së njerëzimit që ka lindur një … mace.
Më parë gjatë javës, qenushja shtatzanë e 63-vjeçarit Joeng Pyong-bong lindi disa këlyshë, midis të cilëve, edhe një kotele.
”Është gjithçka e vërtetë”, besohet Jeong në “Korea Herald”, ndërsa publikoi disa fotografi të kafshës së tij shtëpiake. “Nuk di ta shpjegoj, është një mrekulli, por gjithçka është e vërtetë. Ju garantoj se isha i pari që shqeva sytë kur e pashë. Njerëzit kanë filluar të vizitojnë shtëpinë time nga kërshëria, është me të vërtetë një mace, që ri me të vëllezërit dhe mjaullin, por është lindur nga një qen”, shtoi ai.
Pavarësisht pretendimeve të Jeong dhe hamendësimeve të tij se qenushja mund të jetë ngatërruar edhe me ndonjë maçok gjatë shtatzanië, ekspertët e përjashtojnë kategorikisht këtë “lindje mrekulli”.
”Është e pamundur dhe qesharake të mendosh se një qen mund të lindë një mace”, deklaroi profesori Son Chang-ho, i Universiteti Kombëtar Koreanojugor të Veterinarisë.
”Numri i kromozomëve është i ndryshëm midis kaninëve dhe felinëve. Nuk ka asnjë shans që të ndodhë ajo që thotë pronari i qenit. Jam i sigurt se bëhet fjalë për një ngatërrese, por nuk mund të jetë e vërtetë ajo që pretendon ai. Ky nuk është një rast si gomari me kalin apo tigri me leoparin, që mbeten brenda një familje dhe teorikisht mund të mbeten shtatzanë, ndonëse janë specie të ndryshme”.
Një pretendim se një qen kishte lindur mace u bë edhe në Kinë disa vite më parë, ndërsa gjashtë vjet më parë, në Brazil u publikua një lajm se një mace kishte lindur dy këlyshë qeni.
Top Channel