Milan vijon kërkimet

20/07/2012 00:00

Milan vazhdon kërkimet për sulmues e mbrojtës në prag të sezonit të ri
futbollistik. Edin Xheko dhe Karlos Tevez janë pothuajse një mision i
pamundur për kuqezinjtë që tashmë po mendojnë për alternativa të reja.
Së fundmi në ambientet e Milanit ka filluar të përmendet emri i
Alesandro Matrit nga Juventusi.

Sipas asaj që publikohet te  e përditshmja ‘La Gazzetta Dello Sport’, zv/presidenti i Milanit, Adriano Galiani ka zhvilluar bisedat e para me drejtuesit e Juventusit në lidhje me mundësinë e transferimit të Matrit në Milano. Juventus kërkon 15 milionë Euro për Matrin, por Milani preferon ta marrë atë në formë huazimi me të drejtë blerje në fund të sezonit ku shifra e propozuar nga kuqezinjtë është 10 milionë Euro.

Kjo hipotezë mund të merret në konsideratë nga bardhezinjtë vetëm se do të arrijnë të sjellin në Torino një sulmues të një niveli të lartë. Në rast se Milani nuk do të arrijë të sigurojë shërbimin e Matrit, atëherë Galiani mund të tentojë të blejë Pacinin që është shumë pranë largimit nga Interi.

Përsa i përket repartit të mbrojtjes, Milani ka hedhur sytë nga Ranokia, por situata e futbollistit të Interit është si ajo e Matrit; zikaltrit kërkojnë 15 milionë Euro, ndërsa Milan e dëshiron me huazim.

Top Channel