Bayern Mynih zhgënjen përballë Napolit

20/07/2012 21:50

Bayern Mynih zhgënjeu në ndeshjen e parë të vërtetë të fazës përgatitore të sezonit futbollistik 2012-13, duke treguar se është ende larg nivelit të tij më të mirë, teksa u mposht 3-2 nga Napoli.

Gjermanët ishin superiorë në pjesën e parë dhe kaluan në avantazh me Alabën, por pas një shtylle të Vargas, Cannavaro dhe Pandev i dhanë avantazhin skuadrës italiane.

Pas intervalit, zvicerani me origjinë kosovare, Xherdan Shaqiri, barazpeshoi rezultatin nëpërmjet një goditje dënimi të ekzekutuar mjeshtërisht. Megjithatë, dhjetë minuta përpara fundit të takimit, i riu Insigne i dha suksesin napolitanëve.

Zhgënjyese në radhët e Bayern paraqitja e Manzdukic, kroatit që zhvilloi ndeshjen e tij të parë me fanelën e skuadrës më të suksesshme në historinë e futbollit gjerman.

Autori i tre golave në Euro 2012 me kombëtaren e tij, gjiganti i sulmi shpërdoroi disa raste të pastra, duke treguar se vështirësisht mund të jetë një alternativë e besueshme e qendërsulmuesit Mario Gomez në vazhdimin e sezonit.

Top Channel