“Mos e shiko deri në të ardhmen”. Kështu ishte shkruajtur me stilolaps mbi një kasetë VHS të regjistruar në vitin 1992 nga amerikani Jeremiah McDonald kur ishte vetëm 12 vjeç.

Në këtë moshë kureshtja është e madhe dhe në kokën e atëherë vogëlushit kishte mjaft pyetje, shumica e të cilave nuk merrte përgjigje. Për këtë ai vendosi t’i regjistrojë këto pyetje për t’u dhënë përgjigje vetë, në një farë mënyrë një kërkesë llogaria prej vetes se çfarë kishte realizuar nga ëndërrat e asaj moshe.

Pikërisht, 20 vite më vonë, sot 32-vjeçari mendoi se kishte ardhur koha për t’u përballur me pyetjet që i kishte bërë vetes para 20 viteve…dhe falë teknologjisë dhe montazhit doli në pah një dialog sureal, mes të njëjtit person; kur ishte fëmijë, dhe në moshë madhore, një lloj ‘porte hapësirë-kohë’ ashtu si në filmat fantastiko-shkencorë.

“Mendoj se dua të flas me veten time në të ardhmen. Po po, do të jetë dicka që do ta bëj”. Kështu nis video-xhirimi i Jeremiah McDonald aktualisht aktor dhe regjisor, që me sa duket e ka patur të qartë që në moshën 12-vjeçare se çfarë do të bëhej kur të rritej.

Pas përshëndetjeve rituale, bashkëbisedimi me veten hyn në fazën interesante, me pyetje-përgjigjet. Jeremiah 12-vjeçar pyet Jeremiah-n 32 vjeçar; Sa vjeç je? E më pas me sjelljen tipike para-adoleshente thotë: Dukesh më i vjetër.

Pyetja e radhës lidhet me fatin e qenit Molly; A është ende gjallë? Dhe mbërrin një përgjigje cinike prej të rrituri; Jo. Qentë nuk jetojnë kaq gjatë.

Dialogu me veten përfundon me një intervistë sureale mbi telefilmin fantastiko-shkencor britanik “Doctor Who” (një serial televiziv që vazhdoi prej 33 viteve, më i gjati në histori). 12-vjeçari e pyet nëse vazhdonte ta ndiqte ende telefilmin dhe përgjigjja ishte e shkurtër; Jo!

Video po bën xhiron në internet ku është parë nga më shumë se 7 milion persona. Por ka nga ata që thonë se e gjithë video është ide e realizuar së fundmi nga 32-vjeçari me ndihmën e ndonjë e vëllati më të vogël apo ndonjë fëmije 12-vjeç. Vetë Jeremiah ka përgënjeshtruar këto pretendime duke treguar edhe foto të fëmijërisë së tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA