
Evropianët nuk e vrasin fort mendjen për “gafat” me fytyrat apo me emrat e udhëheqësve të Ballkanit. Në vizitën e dytë në Bruksel dhe pas bisedës, presidenti i Këshillit e pyeti para kamerave presidenten e Kosovës se si shqiptohet emri i saj.
Pas lëvdatave për punën dhe iniciativat e presidentes dhe pasi vlerësoi se gjatë këtij viti në Kosovë është shënuar progres, Herman Van Rompuy renditi detyrat.
“Por ka ende shumë punë për të bërë. BE pret që Kosova të përforcojë përpjekjet për axhendën e reformave evropiane, në veçanti sa i përket shtetit të së drejtës, reformës së administratës publike, reformës zgjedhore dhe qasjes ndaj komuniteteve minoritare”, deklaroi Van Rompuy.
“E falenderova presidentin Rompuy për edukimin dhe përkushtimin e tij dhe të vendeve anëtare të BE-së për mbështetjen e qartë për Kosovën, pavarësisht se pavarësia e saj nuk është njohur ende nga pesë vende anëtare të BE-së”, tha më pas presidentja Jahjaga.
Presidentja e Kosovës shtoi se vendi ka shënuar përparime me marrjen e udhërrëfyesit për vizat dhe nisjen e studimit të fizibilitetit. Nga ana e tij, kreu i BE-së vlerësoi dialogun Prishtinë-Beograd, duke renditur si rezultate të qarta e të prekshme: njohjen e 73 diplomave; kopimin e regjistrit civil që është në proçes e sipër dhe hyrjen e lëvizjes së lirë nëpër Serbi me karta identiteti”.
“Është sfida jonë e përbashkët të sigurojmë se të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun Prishtinë-Beograd do të zbatohen plotësisht dhe siç duhet. Palët duhet të adresojnë situatën në veri të Kosovës për të mirën e të gjithë njerëzve që jetojnë aty. Unë mbetem i bindur se vijimi i dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është rruga më e mirë për të shënuar përparim dhe për të garantuar më shumë qëndrueshmëri dhe zhvillim në rajon, qëllim ky përfundimtar i Bashkimit Evropian”, deklaroi më tej Van Rompuy.
“I ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dialogu mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë mbahet në Bruksel. Deri më sot janë arritur shtatë marrëveshje të cilat lehtësojnë jetët e qytetarëve në të dy anët e kufijve dhe relaksojnë marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Ne nuk jemi të kënaqur me zbatimin e këtyre marrëveshjeve dhe i kemi kërkuar Bashkimit Evropian të gjejë mjetet e vëzhgimit për të garantuar zbatimin e këtyre marrëveshjeve”, theksoi Jahjaga.
Presidentja Jahjaga mbajti një fjalim të gjatë, ndër të tjera, për liritë dhe të drejtat e minoriteteve në vend dhe për ndryshimet kushtetuese që premtohet se do t’i përforcojnë më shumë ato, me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës në muajin shtator. Në një vizitë dyditore në Bruksel, Jahjaga zhvillon takime me krerët më të lartë të institucioneve të BE-së dhe NATO-s.
Top Channel