KOSTA BARJABA – Ndodh që njerëzit e një vendi janë të mençur, por vendi i
tyre mbetet i varfër. Shembulli: Shqipëria në Europë dhe India në Azi.
Shqiptarët po shquhen në botë për zellin dhe arritjet arsimore.
Por Shqipëria mbetet e varfër. Specialistët dhe shkencëtarët indianë janë të famshëm në botë, por ata nuk bëjnë prokopi vetëm në Indi. Kjo vjen ngaqë klasat politike dhe qeverisëse janë nën nivelin mesatar të popullsisë. Por më e keqja është se ato janë refraktare ndaj ideve të reja. Por kontradikta midis mençurisë dhe varfërisë konstatohet edhe brenda një vendi, i cili si rregull, është i varfër. Vatrat e diturisë ndodh që përputhen me enklavat e varfërisë. Zonat me popullsi të mençur, nuk është çudi që të bëjnë pjesë në enklavat e varfërisë. Shembulli: Dibra në Shqipëri. Askush nuk e ka vënë në dyshim urtësinë dhe aftësitë e dibranëve për të krijuar të mira publike dhe kontribuuar në sektorin publik. Por Dibra vetë mbetet e varfër dhe është aktualisht qarku më i varfër në Shqipëri. Me këto mendime u ula para pak ditësh përballë mbi dyqind qytetarëve dibranë, matjanë e bulqizakë, për të diskutuar me ta shkaqet e varfërisë tradicionale të këtij qarku. Treguesi që kishim përpara ishte shumë kokëfortë: Kontributi i Qarkut të Dibrës në PBB për frymë është rreth 69 për qind e mesatares së vendit ose rreth 2.5 herë më pak se kontributi i Tiranës. Ky tregues e rendit Qarkun e Dibrës të fundit në republikë.
2. Përse të varfrit e vërtetë nuk përfitojnë ndihmë ekonomike?
Dibranët i presin me skepticizëm lajmet nga zyrat e qeverisë për reformimin e Programit të Ndihmës Ekonomike. Skepticizmin prej natyre ua shton njohja e manovrave qeveritare më këtë program. Ky program nuk është, praktikisht, një program ndihme, por një program varësie, i cili synon t’i mbajë të varfrit e zonave malore, të thella dhe urbane nën presionin e qeverisë. Ai e bllokon rubinetin e ndihmës në kohë të qeta dhe e lëshon atë në periudha elektorale. Pra, ndihma ekonomike, nuk është as një program asistence, në kuptimin etimologjik të fjalës, por një shtojcë e programeve elektorale, pra karamele elektorale. Studimet e organizatave serioze kanë publikuar ditët e fundit dy të dhëna interesante: rreth gjysma e të varfërve realisht nuk përfitojnë ndihmë ekonomike, ndërsa rreth gjysma e përfituesve të këtij programi përfitojnë abuzivisht. Por E., një administratore sociale matjane (socialiste), e përgjegjshme për detyrën e vet, e vuri gishtin mbi plagë, kur përmendi se ata që janë realisht të varfër nuk përfitojnë ndihmë ekonomike ngaqë nuk aplikojnë dot, për shkak të kostove të aplikimit. Politikëbërësit mund të përfitojnë mjaft nëse dëgjojnë këtë vajzë dhe mjaft nga koleget dhe kolegët e saj nëpër bashkitë dhe komunat e vendit. Mençuria dhe përvoja e tyre janë ato që u duhen reformatorëve.
3. Kapitali njerëzor si jo prioritet
Dibra ka një kapital njerëzor të pasur, por formimi i këtij kapitali nuk përbën prioritet për qeverinë. N., një mësues pasionant dhe drejtues socialist në një nga komunat e Rrethit të Dibrës, paraqiti dy shqetësime: shkollat në mjaft fshatra të qarkut rrezikojnë të mbyllen dhe mësuesit rrezikojnë të mbeten të papunë. Këto dy probleme janë dy anë të së njëjtës medalje. Medalja vetë është një rregull i vendosur nga politikëbërësit e arsimit, sipas të cilit një klasë në arsimin parauniversitar, duhet të ketë të paktën 28-30 nxënës. Ky kriter është i njëjtë si për zonat malore rurale të Dibrës dhe Kukësit, edhe për zonat minoritare të Sarandës dhe Gjirokastrës, edhe për qytetin e Tiranës. Pra, kriteri është i njëjtë, si për zonat urbane, ashtu edhe për ato rurale, si për rrethet nga popullsia që largohet, ashtu edhe për rrethet ku popullsia drejtohet. Dibra, duke qenë e dyta për nga fluksi i migrimit të brendshëm gjatë periudhës 2011-2012, popullsia e qarkut është pakësuar 28 për qind, është ndër viktimat më të para të këtij rregulli të padrejtë. Padyshim që ky rregull duhet ndryshuar dhe dibranët kërkuan pikërisht këtë.
4. Reformat burojnë nga vizioni apo nga paratë në thesin e ministrit të Financave?
Sistemi arsimor dhe sistemi i mbrojtjes shoqërore kanë pësuar mjaft ndryshime, rregullime, korrigjime, rikorrigjime etj. Por shpesh këto reforma nuk burojnë nga vizioni i ri qeverisës, por nga fakti që qeveria ndihet hollë në buxhetin e vet. Kështu ndodh me reformën arsimore, ku numri i nxënësve në klasa rritet me kusht që të kemi sa më pak klasa dhe rrjedhimisht më pak mësues. Kështu ndodh edhe me reformën e ndihmës ekonomike, vizioni i së cilës është kryesisht ulja e shpenzimeve dhe jo rritja e ndikimit në uljen e varfërisë. Po pse mbeten gjithnjë e më pak burime në buxhetin e shtetit për arsimin, shëndetësinë, punësimin dhe shërbimet sociale? Thjesht sepse qeveria nuk i konsideron këta sektorë prioritarë në buxhetin e vet. Qeveria ka prioritete të tjera. Këto prioritete u shtojnë fitimet klientëve të saj, por lënë aty ku kanë qenë spitalet, shkollat, të papunët dhe të varfrit. Prandaj dibranët, matjanët dhe bulqizakët e mençur kërkojnë që reformat të nisen nga vizioni për jetën e qytetarëve, jo nga shërbimet për klientelën e qeverisë.
Top Channel