DARDAN MALAJ – Nën insistimin e faktorit ndërkombëtar, klasa politike po
shkon drejt një konfirmimi të nismës për heqjen e imuniteteve.
Parimisht, një aksion i tillë nuk ka pse të hasë në kundërshti, pasi do
të ishte shumë paradoksale që një forcë politike apo një individ të
këmbëngulte te mbajtja e imunitetit. Diçka e tillë, de facto do ta
vendoste përballë dyshimit mbi një arsye të errët të mbajtjes së
qëndrimit refuzues.
Ndaj, ndonëse mund të kishte arsye për ta kundërshtuar në këtë moment, kur të gjitha institucionet e shtetit janë në të njëjtën ngjyrë politike, opozita ka gjasa që do ta votojë heqjen e imunitetit, duke u mjaftuar ndoshta me ndonjë amendament të rastit si për të mos provuar se thjesht dha dritën jeshile për këtë projekt të shumicës në pushtet.
Opozita do ta kapërcejë këtë moment, duke harruar se kryeprokurori i ardhshëm dhe ndoshta edhe shefi i ri i Shërbimit Informativ Shtetëror, do të jenë zgjedhur nga një president që gëzon mbështetjen e vetëm shumicës qeverisëse. Sakaq, mazhorancës i intereson një hap i tillë në kuadër të bindjes së ndërkombëtarëve se po ndërmerr reformat e kërkuara për akordimin e statusit kandidat në vjeshtën e ardhshme. Një status që do të shndërrohej menjëherë në kauzën e fushatës për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013.
Paralelisht, shumica në pushtet pretendon se përmes një akti të tillë të mund të rifitojë pikë në bursën tanimë të rënë përtokë të antikorrupsionit. Por sa gjasa ka që heqja e imunitetit ta zgjidhë çështjen e antikorrupsionit? Faktet nuk të bëjnë aspak optimist.
I. Pa imunitet, të pandehur, por të pafajshëm
Në gati dy mandate pushtet, Kryeministri Sali Berisha ka parë tre prej ministrave të kabinetit të tij qeveritar t’i merren si të pandehur nga organi i akuzës. Gjithçka ka ndjekur rrugën kushtetuese sa i takon kërkesës zyrtare për zhveshje nga imuniteti e më pas votim në Parlament dhe dritë jeshile për procedim penal.
Lulzim Basha, Fatmir Mediu dhe Ilir Meta janë dërguar në gjykatë me statusin e të pandehurit nga drejtësia. Mazhoranca dhe opozita në Kuvend kanë votuar krejt lehtësisht dhe në mënyrë demonstrative heqjen e imunitetit të këtyre ministrave, duke e shfrytëzuar si një rast për të treguar gatishmërinë për të luftuar korrupsionin.
Ndërkaq, secili prej këtyre ministrave sot vazhdon karrierën personale: njëri kryebashkiak i Tiranës, tjetri ministër i Mjedisit dhe i fundit, kreu i partisë së dytë në pushtet, i mbetur jashtë qeverie me vullnetin e tij personal.
Por çfarë ndodhi pas heqjes së imunitetit në këto tri raste? Prokuroria, ndonëse shpesh me gabime (të qëllimshme apo të paqëllimshme qofshin), arriti të dërgojë në gjykatë, në bankën e të akuzuarve që të tre pjesëtarët e qeverisë, duke ia lënë në dorë gjyqësorit vendimin final.
Kryeministri Sali Berisha, ndonëse udhëhoqi shumicën në votimin për heqjen e imunitetit të Lulzim Bashës, nuk ngurroi aspak që menjëherë të sulmojë prokurorinë, duke deklaruar se vendimmarrja për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës ishte kolegjiale dhe pavarësisht se ishin shkelur procedurat, Basha ishte i pafajshëm.
Duke e deklaruar këtë, Berisha në mënyrë të pashmangshme i dha mesazhin prokurorisë dhe gjykatës se Lulzim Basha nuk duhet dënuar dhe se përgjegjësia për vendimmarrjen, për të cilën ai akuzohej, ishte e të gjithë qeverisë. Berisha u tregon shqiptarëve se imuniteti faktik i dhënë prej tij për Bashën e tejkalon imunitetin që Bashës i ofronte Kushtetuta. Gjykata e Lartë mbyll dosjen e Bashës, duke u bazuar vetëm në çështje procedurale dhe pa i hyrë çështjes në gjykim të imtësishëm. Lulzim Basha sot është kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe vazhdon qetësisht karrierën e tij politike pa probleme me drejtësinë.
Shpërthimi i Gërdecit vuri në shënjestrën e prokurorisë ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Për të Kuvendi i Shqipërisë votoi lehtësisht dhe menjëherë heqjen e imunitetit kushtetues, duke i hapur dritën jeshile prokurorisë sapo ajo e kërkoi këtë. Pas këtij votimi, Kryeministri Berisha mori në mbrojtje hapur Mediun, duke sulmuar prokurorinë në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Ndonëse akuza mbërriti me dosjen e saj në Gjykatën e Lartë, ku Mediu ishte i akuzuar, trupi vendimmarrës shfrytëzoi vonesat dhe zvarritjet deri në rimandatimin e Fatmir Mediut si deputet në zgjedhjet e vitit 2009 dhe mbylljen e çështjes së tij, për shkak të rifitimit të imunitetit. Anipse e kishte shumë të lehtë, prokuroria e pa të kotë të kërkojë sërish heqje imuniteti për Fatmir Mediun, ndërsa dëshmoi se e kuptoi qartë mesazhin e Berishës. Ky është sërish imuniteti i Kryeministrit që triumfon përtej imunitetit kushtetues, ndërsa drejtësia gjunjëzohet. Fatmir Mediu sot është ministër i Mjedisit dhe një prej aleatëve kryesorë të Partisë Demokratike në qeverisje. Për të, ngjarja e Gërdecit i përket historisë, për të cilën dosja është mbyllur.
Arroganca më e dukshme në demonstrimin e imunitetit ekstraligjor është rasti i kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Publikimi i videopërgjimit Meta-Prifti çoi në dorëheqjen e zv.kryeministrit dhe më pas organi i akuzës përgatiti dosjen për heqjen e imuniteteve për Ilir Metën dhe Dritan Priftin.
Kuvendi sërish, njësoj si në dy rastet e mëparshme, votoi me populizëm heqjen e këtyre dy imuniteteve, duke i dhënë publikut edhe një shfaqje bajate politikanësh që vetofroheshin njëri më parë se tjetri për ta lëshuar mbrojtjen kushtetuese të bindur në pafajësinë e tyre.
Prokuroria e dërgoi të pandehur në gjykatë Ilir Metën, por vetëm pak orë para vendimit të pritshëm të Gjykatës së Lartë, Kryeministri Sali Berisha bën një vizitë të beftë në shtëpinë e kreut të LSI-së. Përmes saj, Sali Berisha mori përsipër të lëshonte mesazhin për trupin gjykues, se Ilir Meta ka mbështetjen e tij politike dhe se vendimmarrja duhet të ishte e tillë që të mos e cenonte vazhdimësinë e koalicionit qeverisës. Në fakt, Gjykata e Lartë e shpalli Ilir Metën të pafajshëm. Aktualisht ai është jashtë qeverie, por me vullnetin e tij personal, ndërsa mbetet njeriu kyç që mban në këmbë mazhorancën. Imuniteti i kreut të ekzekutivit, për të tretën herë në këtë nivel gjykimi, triumfon sërish përballë imunitetit të Kushtetutës. Gjyqësori lëngon.
II. Kali i ngordhur i një beteje
Paradokset nuk ndalen. Kryeministri Sali Berisha deklaroi vetëm tri ditë më parë, se siç ka fituar zgjedhjet në vitin 2005 dhe 2009 me premtimin për luftë ndaj korrupsionit, do të bëjë të njëjtën gjë edhe në vitin 2013. Një deklaratë që e injoron krejtësisht perceptimin popullor dhe raportet ndërkombëtare, të cilat konstatojnë se korrupsioni mbetet një problem veçanërisht shqetësues dhe se kërkohet shumë angazhim për ta luftuar.
Heqja e imuniteteve kushtetuese duket se synon mbi të gjitha krijimin e klimës për të vënë komunitetin ndërkombëtar para “detyrave të plotësuara”, që do të çonin në dhënien e statusit kandidat në vjeshtën e ardhshme.
Me qëndrimet e tyre publike, ambasadorët e akredituar në Tiranë kanë lënë të kuptohet se preferojnë të mbyllin sytë para imunitetit politik faktik që të jep Kryeministri. Duke i mëshuar vetëm idesë së heqjes së imunitetit kushtetues, duket se më së shumti ata kërkojnë një proces ligjor, për të cilin të marrin meritat se negociuan dhe ndërmjetësuan me sukses mes palëve. Ngjan se nuk duan ta kuptojnë se do duhet të kishin nisur presionin së pari tek eliminimi i imunitetit faktik të shumicës dhe më pas tek ai ligjor i Kushtetutës.
Më tutje se kaq, heqja e imuniteteve që zyrtarëve u jep Kushtetuta nuk do të mund të jetë efektive për aq kohë sa të ekzistojë vullneti për të imunizuar në mënyrë ekstraligjore politikanët e akuzuar nga drejtësia. Me një gjyqësor të varur dhe të ndikueshëm nga mazhorancat qeverisëse, gjithnjë imuniteti faktik do të triumfojë përtej imunitetit të Kushtetutës. Përdorja e heqjes së imunitetit si një kalë i ri beteje për luftën antikorrupsion është një tentativë e dështuar që në nisje, pasi kali në këtë rast është i ngordhur.
Top Channel