Humbja në Korçë, hungarezët kritika dhe besim

18/07/2012 16:10

Fitorja e Skëndërbeut në ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues të Champions League përballë Debrecenit te konsideruar superfavorit perpara takimit ka ridimensionuar shanset për kualifikim.

Të nesërmen e humbjes, të përditshmet hungareze ishin në një mendje, mbi faktin se tashmë kampionët e tyre nuk mund të pretendojne më se kane nje epersi ne shanset për të vazhduar me tej aventuren e tyre në kompeticionin elitar europian të klubeve.

Në komentin dedikuar ndeshjes, e përditshmja “Nemzeti Sport” pranoi me sportivitet se “kampionët e Shqipërisë arritën një fitore të merituar, përballë një Debreceni që duhet të ndryshojë shumë në një javë, nëse dëshiron të përmbysë fatet e ballafaqimit direkt në ndeshjen e kthimit”.

E vëmendshme ndaj historisë, gazeta më e madhe sportive në vend i kushtoi vëmendje faktit se “Skëndërbeu është skuadra që ka marrë emrin e heroit kombëtar shqiptar, luftëtarin e shquar, që përkrah Janosh Huniadit u shndërrua në një prej pengesave më të mëdha të ekspansionit otoman, në kulmin e fuqisë së tij”.

Ndërkohë, e përditshmja “Fygelio” intervistoi trajnerin e Debrecenit, Elemer Kondas, i cili u shpreh i zhgënjyer me paraqitjen e skuadrës së tij në Korçë. “Bëmë shumë gabime dhe u ndëshkuam për këtë. Pothuajse nuk ishim në gjendje të zotëronim topin dhe i lamë shumë fushë e hapësirë për të luajtur kundërshtarit. Në këtë ndeshje, shqiptarët bënë më shumë se ne për të merituar fitoren, por ende asgjë nuk është mbyllur, ndonëse duhet të luajmë detyrimisht shumë më mirë për të përmbysur këtë humbje”, deklaroi Kondas.

Top Channel