Skënderbeu përballet me rivalët hungarezë

17/07/2012 00:00

Të martën në mbrëmje kampionët e Shqipërisë të Skënderbeut do të
debutojnë në Champions League, ku do të përballen me kampionët e
Hungarisë së Debreçenit.

Megjithëse me diferencë nivelesh në pamje të parë, trajneri çek i skuadrës korçare është i bindur se skuadra e tij mund të bëjë diçka të mirë në këtë ndeshje nëse do të luajë në maksimumin e saj.

“Kam bindjen se skuadra ime, nëse do të japë maksimumin mund të arrijë një rezultat pozitiv. Eshtë e vërtetë që Debreçeni është një ekip më me shumë eksperiencë se ne në Kupat e Europës dhe ne e dimë forcën e tij. Unë e kam parë nga afër. Do të jenë dy ndeshje të forta, por ju siguroj që skuadra jonë ka kualitet dhe është i aftë t’i përballojë. Shpresojmë të bëjmë atë që dijmë të bëjmë më mirë. Duhet të jemi të kujdesshëm për të mos gabuar, pasi mund t’i paguajmë shtrenjtë. Ne do të luajmë futboll ofensiv, por pa harruar mbrojtjen, ne nuk jemi Barcelona. Gjithësesi ne i kemi aftësitë për të luajtur në sulm. Unë nuk e kam frikë Debreçenin, por i respektoj kundërshtarët”, tha Stanislav Levi, trajneri i Skëndërbeut.

Të hënën, skuadra e Debreçenit, por edhe e Skëndërbeut kanë zhvilluar seancat e fundit stërvitore. Ajo që bie në sy në formacionin korçar është mungesa e kapitenit Shkëmbi, por që Levi ka deklaruar se do ta zëvendësojë me lojën e grupit, ndërkohë që drejtuesit e Debrecenit janë të bindur se do të mbyllin gjithcka për kualifikimin e tyre që në këtë ndeshje të parë në Korçë.

Ndeshja do të luhet sot në orën 20:30, biletat janë të gjitha të shitura, ndërkohë që treshja e gjyqtarëve do të jetë bullgare.

Top Channel