Nuk ka më vend për Kaka’ tek Real

17/07/2012 00:00

Aventura e Rikardo Kaka’ te Reali i Madridit është drejt përfundimit.
Sipas medias spanjolle, trajneri i kampionëve të Spanjës nuk e ka
përfshirë futbollistin brazilian në planet e tij për këtë sezon dhe këtë
portugezi ia ka bërë të qartë atij në takimin e zhvilluar pas kthimit
në Madrid nga pushimet.

Kjo do të thotë që Kaka’ tashmë i duhet të fillojë kërkimet për një skuadër tjetër, për të pasur mundësi të luajë dhe të fitojë një vend në përfaqësuese për Botërorin e vitit 2014.

Gjithnjë sipas medias spanjolle, opsioni i parë për Kaka’ është një rikthim i mundshëm te Milani, i cili në 2009 e shiti te Reali për 65 milionë euro. Por problemi qëndron tek paga e futbollistit, të cilën klubi kuqezi nuk mund ta përballojë. Një alternativë tjetër për Kaka’ është edhe mundësia e kthimit të tij në kampionatin brazilian të futbollit për të luajtur shanset e tij për të bindur trajnerin Menezes për ta rikthyer në kombëtare.

Top Channel