Skandali i peshëngritjes me Begajn

16/07/2012 23:55

Federata Shqiptare e Peshëngritjes i heq Shqipërisë mundësinë e medaljeve në Londër 2012. Rasti skandaloz ka të bëjë me peshëngritësen nënkampione të Europës, Romela Begajn e cila është një nga pretendentet kryesore të olimpiadës që do të startojë më 27 korrik.

Drejtuesit e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes kanë dërguar në Londër dokumentacionin për të gjithë peshngritësit tanë ku mes të cilave është dhe deklarimi i peshës që mund të ngrejë sportisti në garë. Përsa i përket rastit të Romela Begaj e cila do të garojë në peshën 58kg, drejtuesit e federatës tonë pa pyetur as vetë sportisten apo trajnerin e saj kanë deklaruar një peshë prej 215 kg, kur në fakt ajo ka rezultate akoma më të mira dhe kërkon që të deklarojë 230 kg.

Në rast se pesha e deklaruar do të mbetet po 215 kg atëherë Romela Begaj do të garojë në baterinë B dhe do të jetë shumë shumë larg zonës së medaljeve.

Burime të sigurta pranë nënkampiones së Europës pohojnë për Top Channel se nëse pesha e deklaruar nuk do të ndryshojë në 230 kg, atëherë Romela Begaj do të tërhiqet nga gara.

Gjithsesi mundësia e fundit për të bërë këtë ndryshim peshe është data 26 korrik, pra 1 ditë para startit të Lojërave Olimpike, shpresojmë që në këtë rast ndërkombëtarët të tregohen më shqiptarë sesa shqiptarët.

Top Channel