Si të shkruhet historia? Absurdi i direktivave kryeministrore

16/07/2012 00:00

ANDREA STEFANI – Kryeministri Berisha beson se shqiptarët i kanë harruar
praktikat e diktaturës komuniste, prandaj nuk ngurron më të imitojë
ish-diktatorin Hoxha. Një prej imitimeve më të fundit është edhe lëshimi
nga Kryeministri i direktivave sesi duhet historianët ta shkruajnë
historinë, kë prej figurave historike duhet të vlerësojnë dhe kë duhet
të nënvlerësojnë

Është e kuptueshme që nën diktaturë jo pak shqiptarë, edhe për shkak të gjymtimit mendor, e quanin normale që kreu i shtetit totalitar të jepte direktiva që rroknin një spektër të gjerë që shtrihej nga kultivimi i rrushit, patates, nxjerrja e naftës e deri te shkrimi i historisë. Madje edhe e duartrokisnin gjithologjinë e liderit të madh. Por shpresojmë se e njëjta dukuri t’ju tingëllojë anormale në kushtet kur pretendohet të ndërtohet një shtet demokratik krejt i kundërt me shtetin totalitar çdo skutë e të cilit ndriçohej nga feneri i liderit totalitar.

***

Nga se i lind Kryeministrit Berisha nevoja të dalë e të japë udhëzime sesi duhet korrigjuar apo shkruar historia? Ne e kuptojmë sot se përse e bënte një gjë të tillë Enver Hoxha. Ai synonte që historia të shkruhej në mënyrë të tillë që t’u shërbente interesave të tij të sundimit. Shembulli më tipik i këtij voluntarizmi tiranik është shkrimi mbi kryengritjen fshatare të Haxhi Qamilit i paraqitur në formë direktive nga Hoxha në vitin 1962. Këtë lëvizje pro-osmane, antishqiptare dhe antieuropiane, diktatori, për interesat e tij e paraqet si më patriotiken, më populloren dhe si paraardhëse të revolucionit komunist. Dhe Enveri e mori një iniciativë të tillë “…në përgjigje të pikëpamjeve të gabuara që u shfaqën për këtë çështje nga disa historianë dhe studiues të tjerë gjatë diskutimit të maketit të vëllimit të dytë të Historisë së Shqipërisë”. Diktatori i korrigjoi historianët dhe deformoi shkrimin e historisë. Është ironike, por në emër të korrigjimit të këtyre shtrembërimeve, Kryeministri “demokrat” bën të njëjtën gjë si diktatori, u tregon historianëve sesi duhet ta rishkruajnë historinë. Dhe porosit që të mos e shohim historinë me syzet e hoxhizmit. Por, ndërkaq, i kujtojmë Kryeministrit se ka ardhur koha që historia të mos shikohet as me syzet e berishizmit. Historia duhet parë vetëm me syzet e shkencës së historisë. Dhe syzet më të mira për këtë punë i posedojnë vetëm historianët. Ata nuk kanë nevojë për lentet shtesë që përpiqet t’u imponojë enverisht Kryeministri. Ndoshta Berisha mendon se historianët janë të paaftë dhe se duhen udhëzuar nga një mendje më gjeniale (si kjo e Berishës) që ta shkruajnë historinë si duhet. Por, ndërkaq, cilat janë garancitë nëse pikëpamja e Berishës për historinë është shkencore? Kush do të vlerësojë nëse llomotitjet e një Kryeministri për të vërtetën historike përputhen me të vërtetën historike dhe jo me interesat e Kryeministrit? S’ka asnjë dyshim se edhe për këto do të duhet të shprehen historianët. Në fund të fundit edhe direktivat e Berishës duhet të shoshiten nga aparati i mendimit shkencor. Prandaj nuk na mbetet veç të shpresojmë në aftësinë e historianëve shqiptarë duke i konsideruar direktivat e Berishës një fyerje publike për ta. Në fakt, aftësia shkencore e historianëve, jo vetëm në të kaluarën komuniste, është tredhur rëndë, për shkak të frikës që ngjallte politika, qeveria dhe presionit që ushtronte ajo mbi historianët. Pikërisht në formën e direktivave sesi duhet shkruar historia. Pikërisht në formën sesi po vepron Kryeministri i sotshëm. Dhe nëse institucionet e shkencës dhe historisë nuk kanë arritur të kenë pavarësinë dhe lirinë nga politika e qeveria, nëse nuk kanë arritur atë shkallë lirie dhe integriteti shkencor sa të neglizhojnë me nënqeshje udhëzimet mëngjarashe të Berishës, atëherë ne do vazhdojmë ta rishkruajmë historinë e Shqipërisë sa herë të ndërrohen qeveritë dhe kryeministrat. Nuk ka gjë më të keqe për të vërtetën historike sesa këshillat e një pushtetari apo politikani. Deformimi i historisë gjatë periudhës komuniste është prova më e qartë për këtë. Ndërsa historia e shkruar me objektivitet është një udhëzues për formësimin e së ardhmes, pushtetari apo politikani kërkon ta përmbysë këtë raport, kërkon të deformojë të shkuarën në funksion të deformimit që kërkon t’i bëjë të sotmes. Prandaj edhe Berisha, tamam si Enveri, i ka vënë kaq theks nevojës së rishkrimit të historisë. Por nuk ka ndodhur kurrë që e vërteta historike të jetë shkruar nën kujdesin e pushtetarëve. E vërteta historike është produkt i lirisë së historianëve. Dhe për ta arritur atë ka vetëm një mënyrë. Që t’u thuhet politikanëve: Larg duart nga historia!

Gazeta “Shqip”

Top Channel