Francë, debati Ibra në Parlament

16/07/2012 19:35

Operacioni i Paris SG, që synon të përfundojë blerjen e Zlatan Ibrahimovic pas asaj të Thiago Silvës u shndërrua në çështjen e ditës në Parlamentin Francez.

Ndërsa socialistët e Hollande kanë nisur debatin për reformimin e sistemit fiskal, rasti Ibra është ilustruar prej deputetëve në shumicë si shembulli më i mirë i asaj që nuk duhet të jetë Franca e së ardhmes.

Në fakt, klubi parizien është vendosur në qendër të kritikave, që në një kohë të vështirë për shumë francezë, ka shpenzuar 173 milionë euro në vetëm një vit për blerje, me pagat e formacionit titullar që kalojnë 58 milionë euro.

Kjo do të thotë se arkat e Paris SG janë në deficit të thellë, por sheikët që kanë marrë klubin në pronësi mbulojnë humbjet, përtej të gjitha normave rreth “fair-play” financiar.

Për këtë arsye, rasti i Ibrës është sjellë në Parlament për të ilustruar ajo që politika e Hollande dëshiron të arrijë, taksa deri në 75% për fitimin e të gjithë atyre që arkëtojnë në vit mbi një milionë euro, duke lehtësuar kështu xhepat e qytetarëve të thjeshtë.

Ndërkohë, nëse sulmuesi suedez do të transferohet përfundimisht tek Paris SG, duke pranuar pagën prej 14,5 milionë euro, ai do të shndërrohet në futbollistin e tretë me rrogën më të lartë, pas Eto’o që fiton 20 milionë euro tek Anzhi në Rusi dhe Drogba, paga e të cilit në Shanghai është prej 15 milionë eurosh.

Top Channel