
Bradley Wiggins çdo ditë përballet me pyetje mbi dopingun në çiklizëm dhe kryesuesi i Turit të Francës gjithmonë shfaqet i qetë sepse sipas tij ai nuk do të tentonte kurrë të dopohej nga frika se do të humbiste gjithçka.
“Nuk kam asgjë për të fshehur dhe mendoj se çdo sistem që vihet në jetë për kontrollin e atyre që “bëjnë hile” është i vlefshëm”, shprehet Fanella e Verdhë e xhiros çiklistike më të famshme në botë.
Ditët e fundit gazeta britanike ‘The Guardian’ e ka krahasuar ekipin ku ai garon (Sky) me US Postal të Lance Armstrong, ekip që po hetohet për doping aktualisht.
“Nëse ajo që bëj më vë në dyshim, mendoj se nuk ia vlen më përkushtimi. Për këtë arsye i kam shkruar një letër gazetës për tu sqaruar. Unë vij nga Mbretëria e Bashkuar, vend që ka një kulturë tjetër çiklistike dhe ku dopingu nuk lejohet moralisht. Qëllimi im në sport nuk është fitorja e Turit të Francës, por shumë më tepër dhe kurrë nuk do të merrja substanca të palejuara për të fituar”, shprehet Wiggins.
“Me sakrifica kam arritur të ndërtoj një jetë dhe nëse marr doping rrezikoj gjithçka: reputacionin, martesën, familjen, shtëpinë dhe medaljet olimpike që kam fituar në karrierë”, shton britaniku.
Top Channel