Në librat historikë perëndimorë Aleksandri i Madh i Maqedonisë portretizohet si një pushtues dhe udhëheqës legjendar. Por literatura historike persiane ka një këndvështrim krejt tjetër për të.

Çdo vizitor, turist, historian apo i apasionuar i historisë që viziton rrënojat të qytetit antik Persepolis në Iran njihet me tre fakte të rrjedhës historike të tij; u ndërtua nga Dariusi i Madh, u fuqizua nga djali i tij Kserkses…dhe u shkatërrua nga Aleksandri.

Me Aleksandër historianët iranianë nënkuptojnë Aleksandrin e Madh, e heqin “e Madh” se për ta nuk është ashtu. Në perëndim Aleksandri njihet si një ndër udhëheqësit dhe strategët ushtarakë më të mëdhenj të të gjitha kohërave, si pushtuesi i Perandorisë Persiane.

Në të njëjtat libra historikë mësohet madje se Aleksandri i Madhe ishte i pari “perëndimor që u përpoq të çonte civilizimin në lindjen e egër”. Por sa nevojë kishte Perandoria Persiane për “civilizimin” perëndimor? Persët shtriheshin nga Azia Qendrore deri në Libinë e sotme dhe kishin të zhvilluar zejtet dhe ndërtimet, shkrimin e poezinë, por edhe gjurmët e para kodifikimit të ligjeve.

Nga kjo mund të themi se Aleksandri i Madh nuk çoi qytetërim në Perandorinë Perse, përkundrazi. Por pse e ndërmorri gjithë fushatën pushtuese? Historianët iranianë dhe disa historianë perëndimorë e interpretojnë kështu; fushata luftarake disa-vjeçare e tij ishte më shumë një hakmarrje kundër persëve të cilët me Dariusin dhe Kserksesin kishin provuar disa herë të pushtonin tokat greke. Kserkses si ndëshkim ndaj rezistencës greke dogji edhe Akropolin. Hakmarrja e Aleksandrit ishte djegia dhe shkatërrimi i Persepolisit dhe tempujve të Zoroastras ( besimi i persëve të lashtë).

E vërteta? Historia është një ballafaqim faktesh për secilën palë. Nëse në Perëndim Aleksandri do të vazhdojë të studiohet si “i Madh”, në Iran do të vazhdojë të njihet “si shkatërruesi i qytetërimit të tyre”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA