Rilindja e PS-së, rithemelimi i PD-së dhe ridimensionimi i politikës

14/07/2012 00:00

Ndue Dedaj – Një gjë është e qartë, ajo çka kemi arritur deri tani në
politikë, pushtet, institucione, qeverisje në këtë shekull nuk na
pëlqen, ndaj sjellim kryet prapa për të kërkuar një diell që na ngrohte
dikur, si një shpresë për rimëkëmbjen e sigurt të së sotmes dhe fytyrën e
shkëlqimtë të së nesërmes.

Nuk është nostalgjia për mugujt e së shkuarës, por mungesa që na bën të shohim te gjyshërit e idealizuar. Partia Socialiste e ka hedhur vështrimin në motet e krijimit të shtetit shqiptar, duke e formuluar alternativën e saj të ndryshimit me devizën për një “rilindje shqiptare”. Ashtu si vetë epoka rilindëse e kërkonte modelin e saj frymëzues në Motin e Madh, pesëqind vjet prapa në kohë, pasi dhe rilindësit, ashtu si ne sot, nuk i kënaqte koha e tyre. Habia është se në të dy kohët, superstruktura moderne dorëzohet para asaj të vjetër, parashtetërore. Dhe nuk është fjala për ndonjë ringjallje kulturore, letrare, artistike të tragjedisë, skulpturës dhe arkitekturës antike, por të politikës, që është diçka tjetër, në rrethana të tjera, kur tashmë kombet janë formuar, po ashtu shtetet, pavarësitë kanë funksionuar etj. Ndërkohë brenda Partisë Demokratike, kohët e fundit, është artikuluar me dinjitet teza për një rithemelim të sajin, që nënkupton se forca politike që qeveris vendin prej shtatë vjetësh nuk mund të shkojë në zgjedhje pa një ridimensionim të vetin dhe fjala rithemelim është shkuarje drejt vlerave idealiste të fillesës demokratike, pra drejt vitit 1990, kur ajo solli ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri. Por, që të ndodhë, si rilindja te njëra, si rithemelimi te tjetra, në thelb lipset ndryshimi i psikologjisë së kësaj klase politike që ne kemi, i sjelljeve të saj të ndikuara jo pak nga tipologjitë bajraktariste, moniste etj. Mazhoranca nuk do ta besojë postulatin e njohur “pushteti të konsumon”, duke mos bërë gjënë e duhur, në kohën e duhur, bie fjala ndryshimin e kabinetit qeveritar, ku rutina në qeverisje në disa ministri nuk mund të kurohet me imazh festiv shiritprerjesh, sado jo pak arritjeve në sektorin e punëve publike. Asaj i kërkohet dëshmi e jashtëzakonshme e vullnetit në luftën kundër korrupsionit, në një vend ku abuzon me postin gjer kryeplaku i fshatit. Dëshmi e jashtëzakonshme në luftën kundër krimit të vrasjes, ku dhe një adoleshent arrin të shndërrohet në vrasës i shokut të tij në një ndeshje futbolli, pra, ku nuk çarmatosen jo vetëm të mëdhenjtë nga armët, por as të vegjlit nga thikat. Dëshmi e jashtëzakonshme e reformimit të drejtësisë, që njerëzit të kenë besim te shteti, ligji, gjyqi dhe jo të dënohen nga gjykata fermerët e thjeshtë për kërp industrial të marrë për drogë. Për sa i përket opozitës, ndokush mund të thotë, mos e lexoni gabim sloganin e PS-së, ai bën fjalë jo për rilindjen e vetes, por të Shqipërisë, kur e majta të vijë në pushtet. Por që të ndodhë kjo, si me thënë rilindja e madhe, ti si qytetar pret që kjo forcë politike ta dëshmojë me fjalë dhe me vepra idealin e madh rilindës të bashkimit e përbashkimit opozitar të gjithë aktorëve të majtë, çka në të vërtetë nuk e vëren prej shtatë vjetësh, për më tepër që gjatë kësaj kohe duket se kanë tepruar për selinë rozë shumë nga emrat e spikatur politikë të saj, ani se ata ishin presidentë, kryeparlamentarë, kryeministra, ministra të saj etj. Shkurt, çdo gjë me “ri”, si rilindja, rikompozimi, rithemelimi kryhet në radhë të parë brenda vetes, pasi vetëm ashtu bëhesh bindës për elektoratin e jo duke “ngrirë” a duke përjashtuar deputetë që mendojnë ndryshe nga kreu. Pozita që nuk dëgjon zërat ndryshe nga brenda, zor se mund të shkojë larg në qëllimet e saj demokratike; opozita që nuk vepron kompakte dhe nuk bashkëpunon me simotrat, si do të rilindë shpresën për vendin? Me veten dhe për veten nuk shkohet askund.

Ridimensionimi i politikës nënkupton detyra që duhet t’i kryejë pozita, siç ka detyra që duhet t’i kryejë opozita, por ka dhe disa detyrime të tjera politike themelore të përbashkëta që janë jo vetëm votimi i ligjeve me tre të pestat, zgjedhja e Presidentit me mirëkuptim, dhe sidomos plotësimi i 12 kushteve për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE, por dhe anë të tjera të qenësishme si hapja apo “mbyllja” e dosjeve. Dosjet janë mes nesh, as hapur, as pa hapur dhe me sa duket, ato do të jenë aty përgjithnjë, për të bërë presion deri në nivelet më të larta të shtetit, siç u pa me rastin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. A ka rilindje dhe rithemelim me dosjet e Sigurimit nëpër këmbë? Nuk themi asgjë të re nëse përsërisim atë që është thënë shumë herë e nga shumëkush, se dosjet duhen hapur një orë e më parë. Vetëm ashtu ato mbyllen njëherë e mirë. Përndryshe histeria e tyre me ish-bashkëpunëtorë nuk do të ketë fund, duke prodhuar sa herë ta dojë momenti, perversitet politik dhe zhgënjime të gjithanshme. Por te ne nuk dëgjohen as shqiptarët, as ndërkombëtarët, për asgjë që cenon qëllimin e pushtetit, si në rastin e etheve për ta mbajtur gjatë të atyre që e kanë, si në rastin e etjes për ta marrë të atyre që e aspirojnë. I dëgjojmë dhe vogëlushët e 1 Qershorit për gjërat që nuk na prishin punë, kurse për ato që na cenojnë sadopak falangat e pushtetit, çfarë nuk bëjmë, çudira: dhe memecin opozitar të pakuptimtë kur duhet folur (në rastin e garës për President), dhe veton vetëvendosëse prej mazhorance (në shtyrjen e referendumit për plehrat për vitin tjetër) etj. Nuk dëgjuam ambasadorin amerikan, të BE-së dhe OSBE-së për zgjedhjen e Presidentit, ambasadorin e Danimarkës për luftën kundër korrupsionit, ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar për atë punën e kërpit etj. Dëgjohen vetëm ithtarët freskbërës, pa të cilët shefat shqiptarë nuk mund të rrojnë dot as në kohët moderne. “Lala Kros, Lala Kros, vetë shkruaj e vetë vulos” është tashmë shprehja më tipike zyrtare e shekullit që ka ngjitur ndër shtetarët tanë herët e vonë. Liderët nuk kanë dalë ende nga kjo psikologji shekullore, pasi ajo ka të bëjë me pushtetin, pasionin dhe etjen për të, lavdinë dhe leverdinë e tij. Askush nuk mund të bëjë karrierë në politikën shqiptare nëse këtë nuk e vulos kreu i partisë, i majtë, i djathtë, i qendrës. Po ta futi ai emrin në listë je deputet, kryetar bashkie, komune, po ta fshiu ai nuk je më i partisë. Pse jo dhe ambasador, gjykatës i lartë, drejtues policie etj. Kështu shtrëngohen radhët rreth të madhit, që si me veprimin, si me mosveprimin për mbështetësit është i pagabueshëm. Ata kanë vetëm një ligjërim “koral”, atë të kreut, sipërorit. “Ne duhet ta mbajmë pushtetin, se opozita është e dobët, e paorganizuar, Rama është provuar në pushtetin lokal, por jo në atë qendror dhe nuk bën për Kryeministër”, thotë njëra palë. Ia pret pala tjetër: “Boll me Berishën në pushtet, ta provojmë një herë dhe Ramën, ai nuk ka qenë në qeveri, që të ketë gjynahe për korrupsionin etj.”. Ngado që ta sjellësh, sytë e fitores janë te kundërshtari, tek e dobëta apo e forta e tij dhe jo tek ajo se çfarë njëra apo tjetra ofron. Gjithsesi reflektohet psikologjia e pushtetomanisë, si në rastin e pushtetmbajtjes gjatë, kur thua “ne jemi më të aftit për të qeverisur”, si në atë të pushtetmarrjes, duke e minimizuar çështjen në “hajde ta provojmë një herë dhe këtë!”

A ka, pra, gjasë që politika shqiptare të ridimensionohet me këtë gjendje që paraqet sot? Në PD nuk bëhen zgjedhjet e forumeve prej dy vjetësh. Në PS flitet për xhaketa të reja dhe xhaketa të vjetra. Në LSI, sipas gjasave, konkurron për kryetar vetëm kryetari. Kësisoj a mund të ndodhë “përmbysja” e madhe e kësaj mendësie politike deri në zgjedhjet e vitit të ardhshëm? Duket se të tjera gjëra kanë ndërmend lidershipet. Mazhoranca po kalkulon të gjitha mundësitë për të qenë fituese e këtyre zgjedhjeve për herë të tretë. Lëvizjet e Berishës për të përqendruar sa më shumë pushtet në këtë fazë këtë tregojnë. Dhe ku nuk lëshohet pushtet, vështirë se rithemelimi politik mund të ndodhë. Mund të pretendohet se kjo gjë është më e përshtatshme kur të jesh në opozitë, por deri atëherë, për PD-në mund të jetë vonë rithemelimi, aq më tepër që në skenë ka dalë dhe FRD. Opozita beson se është e reformuar, sipas saj e sprovuar sa herë në këto shtatë vjet, kështu që pret të nisë aksionin e saj qeverisës për rilindjen e shqiptarëve. Mirëpo a është ajo në kuotat më të larta të marrëveshjes brenda vetes dhe me të “vetët”, aleatët tradicionalë, që në njëfarë mënyre ajo vetë i ka zhbërë, duke mos dashur t’i përfillë herëdokur në ndarjen e pushtetit. Ndaj mospërbashkimi si e majtë mund ta lërë atë sërish në opozitë. Ndaj dhe vijon paradoksi, nga e majta dëgjojmë ftesa për aktorë të rinj të së djathtës dhe jo të së majtës, qofshin tani për tani dhe në koalicionin qeverisës, teksa e djathta besohet se do ta vazhdojë rrugëtimin elektoral sërish me aleatët e vet të majtë, socialistët për integrim. Për të gjitha këto, “rilindja” e së majtës dhe “rithemelimi” i së djathtës duken vite dritë larg nga realiteti politik i kohës.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA