Privatizimi i reparteve ushtarake

14/07/2012 00:00

Aleanca Kuq e Zi do të hetojë privatizimin e qindra reparteve ushtarake që janë dhënë për familjarët e qeveritarëve.

Gjatë një konference partiake për të diskutuar platformën në fushën e rendit dhe të sigurisë, kreu i AKZ, Kreshnik Spahiu deklaroi se po vidhet pasuria kombëtare.

“Aleanca Kuqezi do hetojë dhe denoncojë proçesin e privatizimit të qindra objekteve, aseteve dhe reparteve ushtarake që janë privatizuar nga ministrat tek qeveritarët, deputetët dhe të afërmit e tyre. Ky është një turp dhe këta qeveritarë nuk mund të gëzojnë pasuritë tona kombëtare”, deklaroi Spahiu.

Spahiu e vuri theksin edhe tek paaftësia e shtetit shqiptar për të mbikëqyrur hapësirën ajrore dhe tokësore.

“Avionët tanë i janë shitur Serbisë dhe prehen në muzeun e Beogradit. Shteti shqiptar, për shkak të strategjive të gabuara, paguan 100 milionë euro në vit NATO-n për të patrulluar ujërat e vendit”, nënvizoi Spahiu.

Aleanca Kuq e Zi denoncoi edhe faktin që për pesë vjet me radhë nuk është mbledhur Këshilli i Sigurisë, si rezultat i mosmarrëveshjeve mes presidentit dhe kryeministrit të vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB