Elert Yzeiri – Të enjten në mbrëmje, në një prej hoteleve të Tiranës, u
organizua ceremonia gala për dorëzimin e flamurit kombëtar ekipit që do
të përfaqësojë Shqipërinë në Lojërat Olimpike të Londrës. Një ceremoni,
që të
them të vërtetën, ishte nga më të mirat që kam parë.
Kishte shumë njerëz. Personalitete të fushës së sportit. Politikanë e dashamirës të sportit. Por në atë ceremoni mungonte personaliteti më i rëndësishëm. Nuk ishte Presidenti Republikës në detyrë, z. Bamir Topi, i cili duhet të dorëzonte flamurin kombëtar. Ndryshe nga ç’bëhet në të gjitha vendet e botës, nga Amerika në Kinë, nga Italia në Kore, madje dhe në Bjellorusi e Siri, ku flamuri i jepet skuadrës olimpike nga kreu i shtetit, në Shqipëri vendimet merren politikisht. Të enjten në mbrëmje, një ushtar i Gardës së Republikës, ia dorëzoi flamurin ministrit Bumçi, e ky, më pas, Romela Begajt. Një ceremonial që ka prishur çdo protokoll, edhe pse askush nuk e ka vënë re.
Që presidenti të ketë shmangur një ngjarje të tillë, ka pak gjasa të ndodhë, por që ai është evituar qëllimisht, kjo është e thjeshtë të kuptohet. Qarku është bërë i shkurtër politikisht, këtë herë nga Komiteti
Olimpik, që plot servilizëm ia ka bërë qejfin ministrisë dhe vetë Bumçit, që me sukses të plotë po e drejton edhe politikisht tanimë Komitetin Olimpik.
Ajo që më shqetëson më së shumti është se çfarë urrejtje gjenerokan shqiptarët për njëri-tjetrin. Më keq akoma, kur për qafe u qëndron i mbështjellë shalli politik. Shajnë e urrejnë njëri-tjetrin për vdekje, pa
kursyer askënd, qoftë ky edhe Presidenti i Republikës. Më i fundit në radhën e këtyre shqiptarëve është vetë ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Bumçi. Një person që kur e sheh në foto të duket shumë paqësor e i sjellshëm, por nëse e shikon me video e zë është si një marionetë e përdorur shumë keq politikisht. Kam frikë se edhe ai nën vete gjeneron atë urrejtjen…
Për të mos shkruar më tej në pjesën politike, dua të them edhe dy fjalë për anën sportive. Në ceremoninë e së enjtes, ministri mbajti fjalën e rastit. Një fjalim i shkruar nga ndonjë prej servilëve po aq të painformuar sa edhe ai vetë. I lexuar me sy mbyllur, pa u kontrolluar më parë dhe pa kuptuar se ç’kishte brenda në ato që ai do të ligjëronte përpara sportistëve, trajnerëve, njerëzve të komunitetit të sportit, sponsorëve, gazetarëve dhe shumë të ftuarve të tjerë. Ministri foli që sportistët kanë 4 vjet që stërviten, u janë krijuar kushtet dhe mirë do të ishte që të merrnim dhe rezultate.
I dashur z. Ministër, kam frikë se nuk dini asgjë për sportin, çfarë është bërë para 4 vjetësh dhe çfarë keni
bërë ju gjatë këtyre 4 vjetëve. Gjatë këtyre 4 vjetëve, ministria juaj ka bërë shumë pak, për të mos thënë
asgjë, për sportin. Dhe nuk mjafton ajo mbledhje e para një jave, që ju të plotësoni formalisht kushtet që ju kanë vendosur ndërkombëtarët për anëtarësimin, nuk mjaftojnë edhe ato para të lëvruara vetëm një muaj para
startit të Olimpiadës, sepse është shumë vonë.
Edhe 4 vjet më parë, Shqipëria ishte në Pekin me 11 sportistë. Ministër ishte një tjetër personazh i krahut tuaj politik, ashtu si edhe ju shumë pak i informuar dhe shumë më pak i interesuar për sportin. 4 vjet më parë
kemi bërë një nga përfaqësimet më dinjitoze, edhe pse zona e medaljeve ishte larg. Ishte një skuadër Olimpike shumë e bukur, me sportistë të talentuar, të rinj dhe premtues për të ardhmen, ndoshta edhe për këtë
Olimpiadë që presim. Sot, shumë prej tyre mungojnë. Më të mirët. Kishim në atë olimpiadë një kampion të pashpallur, një sportist që Shqipëria nuk e ka pasur kurrë më parë. Kishim një Elis Guri, që atje në
Pekin i mallëngjeu të gjithë me garat e tij. Sot nuk e kemi më, sepse delenxhinjtë që drejtojnë sportin në bazë, të përfshirë politikisht e përcollën me ceremoni drejt Bullgarisë, duke mos bërë përpjekjen më të
vogël për t’i krijuar kushtet që ai sot të ishte pjesë e skuadrës olimpike shqiptare. Ai sot është kampion bote, për vete, e ndoshta pas pak ditësh edhe kampion olimpik. Po nuk është më i Shqipërisë dhe ky është një
autogol i madh për institucionin tuaj, për ne të gjithë, për Shqipërinë.
Në Pekin Erkand Qerimaj, atëherë vetëm 20 vjeç, doli i pari në baterinë e tij. Ka bërë një garë mrekullisht të bukur. Sportisti që i ka dhënë Shqipërisë më shumë pikë në skuadrën olimpike. 4 vjet më pas, ai duhej të
ishte shumë më i fortë. Por ai nuk është, sepse ju dhe specialistët tuaj nuk u kujdesët për të. Ata e lanë të bënte vetëvrasje. E shtynë në vetëvrasje një sportist, që për ne duhej të ishte një pasuri kombëtare.
Në Pekin, ishte dhe kampionia jonë e vetme e delegacionit, Romela Begaj. Një vajzë e mrekullueshme dhe një sportiste që i vjen Shqipërisë një herë në 100 vjet. Ju nuk keni si ta dini zoti ministër, pasi si dhe tani, edhe në atë kohë ju interesoheshit shumë pak për sportin, por ajo në Pekin ishte sportistja më spektakolare, në garën më të fortë të ngritjes së peshave në Olimpiadë. Pas 4 vjetësh ajo ka harxhuar më shumë kohë duke
kërkuar paratë që i takojnë, nëpër zyrat e shtetit, se sa të bëjë atë që ajo di të bëjë më mirë. Dhe ajo mund ta bëjë më mirë në Londër, madje edhe pa ndihmën tuaj. Vërtet pa ndihmën tuaj, por me shpatullat e veta dhe
përkushtimin e familjes së saj.
Asaj liste i mungojnë edhe shumë emra të tjerë të rinj të talentuar, që ju dhe strukturat në varësinë tuaj, i kanë skualifikuar qëllimisht, sepse edhe sportit i keni dhënë një ngjyrim të fëlliqur politik, duke i
etiketuar disa tanët dhe disa të tjerë si të tyret. Pyetini pak ata specialistët apo drejtorët tuaj të famshëm: a mundet një sportist që nuk i ka arritur asnjëherë normat kualifikuese në moshën 20-vjeçare, ta bëjë një
gjë të tillë në moshën 33 vjeç? E keni shitur shumë keq për opinionin këtë skuadër zoti ministër.
Në muajin tetor, pritet që t’i vihet ruspa stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Me atë rast do të varrosni edhe të vetmen pistë olimpike në vend. Pastaj nuk ju mbetet që të kërkoni leje në Bashkinë e Tiranës, që atletët
të vrapojnë në bulevard. Të gjithë do të donim që Shqipëria të bëjë një përfaqësim të mirë në
Londër, pse jo edhe të shpresojmë medaljet. Me atë rast, edhe Ju do të keni mundësi të shkrepni edhe disa foto të tjera në Rinas.
Janë ditë të nxehta të një vere sahariane këto që po kalojmë, e ashtu si në celuloidet që mund të djegë në objektiv vetëm mendja djallëzore e Quentin Tarantinos, shfaqen çdo ditë episode horrorifike të jetës
shqiptare, që të trazojnë ditën e të bëjnë të mendosh se po jetojmë në një botë të egër.
Në një vend ku vëllai vret vëllain, kur tyta e armës së gjakmarrjes nuk kursen as jetën e fëmijëve, grave e çdo gjëje të gjallë, në një vend ku fëmija vritet në mes ditës me plumba, thua se jemi në Siri, apo kur ti
mund të jesh në punën tënde dhe një makinë të merr jetën e gjysmës së familjes mbi trotuar, vjedhja e pikturave të Mios, prishja e protokollit në dorëzimin e flamurit kombëtar për ekipin olimpik, apo përzgjedhja me
hatër e sportistëve, janë gjërat e fundit që mund të shqetësojnë mendjet e shqiptarëve.
Top Channel