
Ylli i futbollit nga Bregu i Fildishtë, Didier Drogba është pritur si hero kur ka mbërritur në Kinë, për të nënshkruar kontratën që do t’i mundësojë të luajë për ekipin Shangai Shenhua.
Qindra fansa të ekipit kinez ishin mbledhur për të përshëndetur ish-lojtarin 34-vjeçar të Chelsea në aeroportin e Shangait. Pagesa prej 300 mijë dollarësh në javë e bën Drogba një ndër lojtarët më të paguar në botë.
Ai është mes shumë yjeve të huaja që së fundmi janë transferuar në Kinë, ku do të gjejë ish-kolegun e Chelsea, Nicolas Anelka, që luan në të njëjtin ekip. Menjëherë pas mbërritjes, Drogba bëri të qartë se nuk kishte ardhur në Kinë për para.
“Do të kishte qenë më e lehtë për mua të qëndroja në Evropë, por zgjodha Kinën. Paraja nuk është gjëja më e rëndësishme, unë jam këtu për një eksperiencë të re”, deklaroi Drogba.
Korrespondenti i BBC në Shangai, John Sudëorth thotë se ekipi ku do të luajë ylli afrikan është një klub me ambicje që shkojnë përtej fitimeve të tij modeste.
Top Channel