Tiranë, tryezë për krimin e organizuar

13/07/2012 00:00

Në një tryezë mbi krimin e organizuar që po zhvillohet në Tiranë me nismë të Bashkimit Evropian, ministri i Drejtësisë Eduart Halimi ka folur për një goditje të rëndë që sipas tij i është dhënë këtij fenomeni.

Gjatë fjalës së tij para të pranishëmve, Halimi është shprehur se, Shqipëria sot nuk është më një strehë e sigurtë për krimin e organizuar dhe për trafikun e drogës.

“Shqipëria nuk është më strehë e krimit të organizuar. Mund të përmend se kemi nënshkruar marrëveshje me palën italiane dhe kemi arrestuar shumë të kërkuar nga drejtësia e këtij vendi. Krimi nuk ka më strehë në Shqipëri”, ka thënë Halimi.

Ministri ka shtuar se mazhoranca qeverisëse ka miratuar një sërë ligjesh kundër krimit të organizuar, që sipas tij kanë çuar në sekuestrimin e 20 milionë eurove pasuri të paligjshme, si dhe dhjetra apartamente, biznese e prona.

I pranishëm në këtë tryezë ishte edhe kryetari i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Sandër Simoni, i cili ka vlerësuar se, pavarësisht arritjeve, beteja ndaj këtij fenomeni vazhdon.

“Beteja ndaj krimit të organizuar vazhdon. Megjithatë, Gjykata e Krimeve të Rënda e ka justifikuar punën për të cilën është krijuar”, ka thënë Simoni.

Ndërsa përfaqësues të misionit EURALIUS kanë rikonfirmuar mbështetjen e tyre për autoritetet shqiptare në këtë betejë.

Por pavarësisht deklaratave të ministrit Halimi, krimi i organizuar në Shqipëri vazhdon të jetë i pranishëm dhe të ketë influencën e tij në tregjet evropiane të drogës.

Edhe raportet e institucioneve ndërkombëtare tregojnë se, nga viti në vit, progreset e Shqipërisë në luftën kundër krimit dhe trafikut të drogës kanë qenë minimale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB