Skandali i basteve, dëshmon Conte

13/07/2012 20:05

Trajneri i Juventusit, Antonio Conte u mor për më shumë se katër orë në pyetje nga hetuesit federalë në Romë lidhur me dyshimet për përfshirjen e tij në skandalin e fundit të basteve.

“Jam i kënaqur që më në fund munda të tregoja të vërtetën. Jam i kënaqur që më në fund sqarova gjithcka. Tregova të vërtetën dhe që nga sonte do të rikthehem të bëj atë që më pëlqen më shumë, të fitoj me Juventusin”, deklaroi tekniku bardhezi pas daljes nga dyert e prokurorisë i shoqëruar nga 3 avoktatët e tij.

Antonio Conte akuzohet për pasje dijeni të fiksimit në të paktën dy ndeshje. Dëshmitari i prokurorisë dhe i akuzuari për trukim të ndeshjeve, Filippo Carobbio në dëshminë e tij përmend dy ndeshje të sezonit 2010-2011, Albinolefe-Siena (1-0) dhe Novara-Siena (2-2) për të cilat Conte dyshohet se jo vetëm ka patur dijeni, por edhe është përfshirë në fiksimin e tyre.

Por tekniku juventin në deklaratat për shtyp ka hedhur poshtë të gjitha akuzat e ngritura kundër tij duke deklaruar se pretendimet e Carobbio-s janë krejtësisht false dhe “një hakmarrje për mosaktivizimin e tij tek Siena gjatë kohës kur kjo skuadër drejtohej prej tij”.

Top Channel