Top Story, ndryshimet në Kodin Zgjedhor

12/07/2012 00:00

Mosbesimi mes forcave politike ka minuar thuajse të gjitha proceset zgjedhore në tranzicion shqiptar. Sistemit zgjedhor, që nga vitet e para të ’90-ës i janë bërë vetëm korrigjime. Në 2008 u vendos reforma e plotë, ndryshimi i sistemit duke kaluar në sistemin aktual. Por edhe ky ndryshim solli krizën politike pas zgjedhjeve të 2009-ës.

Dje, në orët e fundit të mandatit të Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore palët arritën kompromisin për zgjedhjet e ardhshme. Por a është thelbësor ky kompromis për një besim afatgjatë mes palëve? Të paktën në reagimet e para kuptohet që ato nuk janë pozitive. Megjithatë dy palët janë të kënaqura dhe duket se në 2013-ën do shkojnë të qeta. Por a është rregulluar thelbi i sistemit zgjedhor?

Për t’iu përgjigjur kësaj dhe pyetjeve të tjera në panelin e Top Story me gazetarin Sokol Balla ishin të ftuar dy aktorët kryesorë të ndryshimeve në ligjin zgjedhor, Damian Gjiknuri nga Partia Socialiste dhe Oerd Bylykbashi nga Partia Demokratike dhe dy ish-kryetarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, zoti Kristaq Kume dhe Ilirjan Celibashi.

Në nisje të fjalës së tij, bashkëkryetari demokrat i komisionit parlamentar të reformës, Oerd Bylykbashi tha se palët arritën të përfundonin me sukses në pak kohë këto ndryshime, por tha se për një reformë të mirë dhe cilësore zgjedhore nevojitet shumë më tepër kohë dhe jo vetëm 8 muaj sa iu deshën edhe këtij komisioni për të përmbushur detyrat e marra pas marrëveshjes së nëntorit të 2011-ës mes PD-së dhe PS-së.

Ndërsa bashkëkryetari socialist i komisionit, zoti Damian Gjiknuri pranoi se ka patur strategji politike për të vonuar ndryshimet dhe se u desh kohë për të arritur tek to, por shtoi se lënda ishte voluminoze dhe se u korigjuan sipas mundësive reale ato pika që shqetësonin Partinë Socialiste në zgjedhjet e fundit.

Më shumë se sa interesat e palëve, për demokratin Bylykbashi, ndryshimet e arritura mes PD-së dhe PS-së pasqyrojnë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe c’është më e rëndësishmja, tha ai, përfshijnë të dyja llojet e zgjedhjeve, si ato paralmentare, ashtu dhe ato lokale. Sa për hetimin e procesit zgjedhor, Bylykbashi tha se është arritur në marrëveshje të përkufizohet se kur mund të hapen kutitë me materiale zgjedhore. Ai tha se PD s’ka qenë asnjëherë kundër kësaj pike, por se duhej të përkufizohej qartë sepse ekzistonte mundësia e minimit të gjithë procesit zgjedhore vetëm me ankimimet.
Edhe ish-kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi vlerësoi ndryshimet e fundit konsensuale duke deklaruar se sjellin më shumë transparencë në zgjedhjet e ardhshme. Celibashi tha se kërkesat e PS-së kanë qenë të përligjura dhe shtoi se përfshirja e numërimit dhe identifikimit, edhe pse pjesërisht, rrit transparencën e procesit zgjedhor.

Socialiste Gjiknuri vlerësoi ndër ndryshimet e arritura me konsensus me PD-në aksesin tek materialet zgjedhore ku dyshohet se ka patur parregullësi dhe aksesin e opozitës tek Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile pranë Ministrisë së Brendshme duke u njoftuar për cdo ndryshim të këtij regjistri.

Ish-kreu tjetër i KQZ-së, Kristaq Kume tha se i gjithë procesi nuk duhet parë si një garë mes palëve. “Ishte përgjegjësi e dy palëve për të realizuar atë që u është kërkuar nga parlamenti. Nuk më lë shije të mirë, vlerësimi i asaj që u quajt si fitore e njerës palë ndaj tjetrës. Absolutisht dy palët bënë atë që u angazhuan dhe atë që u kërkohet”, tha zoti Kume duke shtuar se pavarësisht kësaj, parashikon një proces zgjedhor në 2013-ën, aspak të lehtë.

Palët kanë rënë dakort edhe për riformatimin e KQZ-së në muajin shtator. Nga opozita kjo është quajtur si një fitore pasi largon nga posti i kreut të këtij institucioni, Arben Ristanin, që nga PS akuzohet si i njëanëshëm. Por zoti Bylykbashi tha se i gjithë procesi për gjetjen e një kompromisi nuk u bë për të “prerë një kokë”, por për të plotësuar rekomandimet dhe për të përmirësuar zgjedhjet.

Gjiknuri tha se është përcaktuar një formulë e zgjedhjes në krye të KQZ-së një person profesionist, ndërsa Bylykbashi shtoi se ajo që nevojitet është një KQZ që të zbatojë detyrën pa presione nga politika.

Kodi penalizon partitë e vogla?

Në marrëveshjen PD-PS nuk u prek sistemi zgjedhor. Ai mbeti proporcional rajonal, ndryshe nga sa kërkuan partitë e vogla, majtas dhe djathtas. Për ish-kreun e KQZ-së, Kristaq Kume, komisioni përfundoi punën brenda afateve për atë cfarë ishte ngarkuar nga parlamenti.

Ndërsa përfaqësuesi socialist, zoti Damian Gjiknuri deklaroi se kërkesa e partive të vogla ndaj PS-së që të bllokonte ndryshimet nëse nuk jepej konsensusi i PD-së për ndërrimin e sistemit, ishte irracionale. PS, tha ai, kishte veton vetëm për të bllokuar, por kjo nuk do të conte në arritjen e këtyre përmirësive administrative. Vetë PS, shtoi Gjiknuri, kishte probleme me administrimin e zgjedhjeve, jo me sistemin.

Ndërsa Ilirjan Celibashi tha se u përmbushën kërkesat e përcaktuara nga parlamenti, si ndryshimet në KQZ apo ndryshimet e tjera, por sa i përket sistemit, zoti Celibashi tha se ishte në të drejtë të PS-së dhe PD-së që të vendosnin sipas interesave të tyre. Zoti Celibashi hodhi idenë që Kodi Zgjedhor të dalë nga Kushtetutë, për të qenë më fleksibël në ndryshime.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA