Përgjumje në 100-vjetorin e pavarësisë

12/07/2012 00:00

GJOVALIN GJELOSHI – U bënë muaj që qeveria shqiptare, nëpërmjet një vendimi të posaçëm, e ka
shpallur vitin 2012, vitin e 100-vjetorit të Pavarësisë Kombëtare. Janë
aprovuar plane e programe pune.

Janë thënë deri në detaje se si e ku do të festohet. Sa do të shpenzohet, jo vetëm për krijimin e atmosferës festive, por edhe si do të financohen të gjithë hapat deri në atë ditë. Çfarë do të ndërtohet për këtë vit jubilar e cilave figura do t’u kushtohen ndërtimet monumentale që janë menduar. Lexuesi e di se janë shpallur edhe konkurse të krijuesve për to. Krahas kësaj çdo ministri, kush më shumë e kush më pak ka bërë programin e vet dhe janë planifikuar detyrimet dhe shpenzimet për vitin Jubilar të Pavarësisë Kombëtare.

Por qeveria qendrore nuk mund të mendojë e nuk mund të planifikojë gjithçka që duhet për këtë përvjetor në të gjithë cepat e Shqipërisë. Në sinkron: të gjitha këshillat e qarqeve dhe bashkitë e komunat e vendit, duhet ta merrnin një vendim të tillë. Vlora identifikohet me aktin e shpalljes së pavarësisë. Tirana është pasardhësja e Vlorës, kryeqyteti i sotëm. Me këtë dua të them se detyrimet e qeverisë nuk kanë pse shkojnë përtej këtyre dy qyteteve. Monumente që nderojnë aktin e pavarësisë mund të bëjnë edhe qytetet e tjera të Shqipërisë, dikur kryeqytete: edhe Durrësi, edhe Lushnja, edhe Shkodra e Kruja. Flamuri kombëtar u ngrit në Vlorë, por të gjitha qytetet e qendrat kryesore të vendit patën flamurtarët e tyre. Disa madje në të njëjtën ditë me Vlorën. Të gjitha të tjerat disa ditë e deri disa muaj më vonë. A nuk mund të planifikojnë bashkitë apo komunat që të ndërtohet diçka domethënëse në përkujtim të ngjarjes lokale të para 100 vjetëve, pikërisht në ato vende ku u valëvit flamuri kombëtar?

Ka figura kombëtare të plota e me rrezatim diplomatik ndërkombëtar që duhet të merret qeveria me to. Por ka edhe figura të tjera lokale me shtrirje kombëtare për veprimtarinë e tyre që e meritojnë të përjetësohen në buste e monumente. Kush duhet t’i evidentojë e t’i bëjë këto? Është detyrim i qeverive rajonale e lokale që të qëmtojnë në historinë e territoreve të tyre dhe të përjetësojnë me këtë rast të gjitha ngjarjet dhe figurat kryesore të historisë së tyre. Pushteti vendor akoma nuk e ka kuptuar se çfarë detyrimesh ka për ruajtjen dhe përjetësimin e trashëgimisë kulturore e historike. Shumica e tyre nuk kanë planifikuar asnjë qindarkë për të bërë diçka në përkujtim dhe në nderim të këtij jubileu.

Ne duhet ta dimë se ngritja e flamurit kombëtar nuk është akt i një dite a i një momenti. Për të ardhur deri këtu u kalua nëpërmjet luftërave e përpjekjeve titanike. U desh gjaku dhe jeta e qindra fatosave të lirisë. U deshën përpjekjet e dhjetëra burrave e grave që dhanë kontributin e tyre, në organizimin e kryengritjeve të përgjithshme antiosmane, duke filluar nga Veriu i Shqipërisë e në çdo cep të saj.

Të mos shkojmë më në thellësi të historisë. Të vëmë si cak vetëm kryengritjen e Malësisë së Madhe dhe ngritjen e flamurit kombëtar në majën e Bratilës së Deçiqit. Vendosja e flamurit në lartësitë e Deçiqit u kushtoi malësorëve më shumë se sa amerikanëve vendosja e flamurit në Hënë dhe është më domethënës se sa flamuri rus në thellësitë e deteve të Veriut. Mirë se Bratila shqiptare është në territorin e një shteti të huaj dhe ne nuk mundemi të gdhendim atje, fjala vjen, një flamur, për ta përjetësuar këtë akt “Matrazovësh” shqiptar. Por këtë vit, a nuk mund të kujtohej kjo ngjarje me një program të caktuar kombëtar? Po bustin e Dedë Gjo’ Lulit nuk mund ta vëmë në Tiranë apo në Shkodër?

Shpallja e pavarësisë kalon nga memorandumi i Greçes, “libri i kuq”, 12 pikat e të cilit janë i pari program politik i shpalljes së pavarësisë. Atje, më shumë se kudo e ndjen veten të sigurt Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi për veprën që kishin marrë përsipër. Kush kujtohet për Greçen? Gati edhe është harruar se ndodhet në Selcë të Kelmendit. Kujtojnë se edhe ky vend është në territorin e Malit të Zi (sepse kështu e shkruajnë të gjithë historianët duke i sllavizuar edhe emrin “Gerçe”). A nuk e ndjen detyrim Këshilli i Qarkut të Shkodrës që të investojë për një monument modest atje?

Pas Malësisë së Madhe, Rrethi i Lezhës dhe zonat përreth, që fatmirësisht sot përbëjnë një qark, ishin qendra e kryengritjeve të përgjithshme antiosmane. Gjatë viteve 1911 e deri në fund të vitit 1912, u zhvilluan një sërë përleshjesh me forcat turke. Vendi u përfshi nga vala e luftës çlirimtare ku doli në pah jo vetëm trimëria e masave popullore, por edhe mençuria e prijësve të tyre. 100 vjet më parë, më 11 maj 1912, në Zejmen u bë një kuvend i madh. U quajt “Kuvendi i të beslidhurve” një term që të kujton si formë edhe si përmbajtje “Besëlidhjen” e Gjergj Kastriotit. Rreth “të beslidhurve” u grumbulluan qindra forca dhe u bënë disa luftime, të cilat e tronditën pushtetin e Portës së Lartë në këtë cep të Perandorisë. Kaloi kjo datë dhe Këshilli i Qarkut të Lezhës, që e ka për detyrë funksionale të përkujtojë ngjarje të tilla me përmasa më shumë se sa lokale, nuk e mori mundimin të bënte diçka. “Zejmenin” e pasuan disa kuvende të tjera si ai i Shënkollit, i Kunorës së Pllanës, i Rubikut, i Delbnishtit, Kallmetit, më përpara i Zadrimës etj. Të gjitha kuvendet mbështetën njëri-tjetrin. Vendimet e asnjërit nuk ishin përjashtuese. Ato kishin vetëm një qëllim: organizimin dhe drejtimin e kryengritjes së përgjithshme të armatosur. Nuk them se duhet të bëjmë nga një sesion për çdo kuvend apo një monument për çdo betejë. Për të gjitha bashkë, mund e duhet të bënim një vepër monumentale. Këto ngjarje duhet të na tundin nga përgjumja dremitëse. “Nuk duam, nuk dimë apo nuk kemi”? Vetëm kjo e fundit nuk ekziston. Pushteti vendor noton në “luks administrativ”: me makina, me benzinë, me administratë të bollshme, deri në të panevojshme e me polici, deri personale (komunale). Të kursejmë pak për të bërë punët që shkojnë në të mirë të përjetësimit të historisë. Të bëjmë vepra modeste që përkujtojnë ngjarje e luftëra. Të bëjmë monumente, lapidare e të shkruhen libra. Sot është dita. Edhe në një familje bëhen shumë punë kur kemi një festë përpara.

Kur shfleton arkivat për veprimtarinë e rretheve para viteve ‘90-të, ndesh në një fakt që është për të të ardhur keq: komitetet ekzekutive të rretheve përkatëse kanë bërë një punë shumë më të kujdesshme e më shkencore se sa bëjnë këshillat e qarqeve sot. Më mirë vonë se kurrë: Partia e Punës u kujtua dikur se duhen vlerësuar edhe dëshmorët që dhanë jetën për pavarësinë e Shqipërisë. Ashtu gjysma-gjysma, se nuk të linin kriteret politike, por u shpallën dëshmorë mjaft prej tyre me rastin e 70 e 75-vjetorit të Pavarësisë. Ndërsa sot në moshën e një shekulli të kësaj ngjarjeje, asnjë rreth apo qark nuk e shohim se e ka ndërmarrë këtë hap. Studime të tilla duhen bërë edhe për të korrigjuar gabimet e bëra e për të dhënë vlerësimet e merituara për dhjetëra të vrarë, të cilët ishin injoruar prej vitesh, por edhe për të gjurmuar më tepër nëpër analet e historisë lokale e rajonale. Ka dhjetëra ngjarje e persona që duhen ndriçuar e u duhet hequr pluhuri i harresës.

Në këtë 100-vjetor njësitë e qeverisjes vendore kanë detyrimin që të kujtojnë gjakun e atyre qindra burrave që dhanë jetën për këtë flamur. Janë dhjetëra figura me përmasa kombëtare që janë nderi i krahinës, i zonës, i rrethit, i qarkut, që pushteti ua ka borxh përkujtimin e përjetësimin. Më 22 qershor 1912, në Breg të Matës, u zhvillua njëra prej përleshjeve më të përgjakshme. Në atë betejë spikati një burrë që shkriu pothuaj të gjithë familjen. Shtypi i kohës e quajti “Leonidha i Bregut të Matës”. Ku është busti i këtij luftëtari që quhej Llesh Nik Daka. Rreth kullës së tij u numëruan 67 ushtarë turq të vrarë. 100 vjet më vonë, një “Leonidhë” tjetër shuan familjen në Kosovë. E ndërsa busti i Adem Jasharit ka zënë vend në qendër të Prishtinës e në mes të Tiranës, Llesh Nika nuk ka kund një pllakë guri. E pra të dy kryen të njëjtin akt sublim: i pari me turkun, i dyti me shkjaun.

Nuk mendoj se është e domosdoshme të përmendim emër për emër ngjarjet dhe njerëzit që ishin protagonistë të këtyre ngjarjeve. Edhe me kaq mjafton për të vërtetuar atë që thamë në fillim, se pushteti vendor gjatë të gjithë këtyre muajve ka treguar se po e konsideron veten të përjashtuar nga detyrimet për përkujtimin e kësaj ngjarjeje të madhe historike.

Do t’i lutesha Kryeministrit që së paku për këtë vit, sa s’është vonë, ta lëmë mënjanë “kartën e autonomisë lokale” e të urdhërojmë përdorimin e buxheteve vendore edhe në përkujtim të ngjarjeve të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, në ato njësi vendore apo qarqe ku ato kanë ndodhur. Po e sjell në vëmendje se është një mundësi edhe “pa prekur” autonominë vendore: sipas udhëzimit të Ministrisë së Financave të datës 15 shkurt 2012 “Për zbatimin e buxhetit të vitit 2012”, pika 23, bashkitë dhe komunat kanë planifikuar jo më pak se 10 për qind të transfertës së pakushtëzuar, “për mbështetjen e pemëtarisë e të gjelbërimit”. Për këtë vit, me këtë fond le “të mbjellim” lapidare e buste, të ndërtojmë përmendore, të bëjmë studime për historinë lokale e të shkruajmë libra. Të përjetësojmë ngjarjet, njerëzit dhe veprat e kryera prej tyre njëqind vjet më parë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA