Turi i Francës, Nibali: Dua vendin e tretë

09/07/2012 20:45

Vincenzo Nibali, çiklisti italian i Liquigas, i katërti në klasifikimin e përgjithshëm të Turit të Francës, theksoi pas kronometrit individual të Besancon të fituar nga Bradley Wiggins se do të luftojë për një vend të tretë.

“Jam i katërti në renditje dhe do të luftoj për podiumin me Chris Froome (i dyti në kronometër). Gjithçka do të varet nga strategjia e ekipit “Sky”. Shpresoj që ata të punojnë për Wiggins në etapat e malit dhe në këtë mënyrë unë mund të fitoj kohë ndaj Froome”, theksoi Nibali.

“Peshkaqeni i Mesinës”, fitues i Vueltës spanjolle në vitin 2010, u shpreh i kënaqur me vendin e tetë në kronometër.

“Gjithçka shkoi sipas parashikimeve. Ndaj Evans humba shumë pak, ndërsa fitova ndaj Menchov. Jam i kënaqur me rezultatin”, deklaroi Nibali.

Top Channel