ZEF BROZI – Problemet e vazhdueshme me zgjedhjet në Shqipëri, që nga
viti 1996 e deri më sot, kanë qenë shkak që edhe unë, si shumë shqiptarë
të tjerë të cilëve u dhemb vendi i tyre, të publikoj shumë artikuj dhe
të dërgoj në Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore propozime e
sugjerime konkrete për Kodin Zgjedhor.
Por meqenëse unë në këto sugjerime nisem nga çfarë është mirë për Shqipërinë dhe jo vetëm për partitë, këto sugjerime dhe opinione pothuajse kanë rënë në vesh të shurdhër. Ashtu siç nuk po dëgjohen sot as sugjerimet e dy ish-presidentëve të nderuar, Meidani e Moisiu, as propozimet e disa përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe forcave të reja politike. Kërkesat e partive të vogla duket se mund të mbeten thjesht në letër dhe nëpërkëmben si në vitin 2008. Veçse këtë radhë partitë e vogla parlamentare që kanë mekanizmin e detyrimit të PD-së dhe nuk e përdorin atë, duhet thënë se e meritojnë humbjen e thellë që mund të pësojnë në zgjedhjet e ardhshme edhe për shkak të Kodit Zgjedhor me autorë PD-PS.
Meqenëse Komisioni i Reformës Zgjedhore është në fund të mandatit të tij, dua të jap edhe njëherë disa sugjerime për çështjet e fundit që po shqyrton ky komision me dëshirën për ta ndihmuar atë.
1. KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE
KQZ-ja nuk duhet të jetë komision partiak, aq më tepër dy apo trepartiak. Vetëm ata që vodhën zgjedhjet dhe që synojnë të bëjnë të njëjtën gjë edhe në zgjedhjet e ardhshme janë të interesuar dhe do të bëjnë gjithçka që të ruajnë KQZ-në siç është sot, në strukturë dhe përbërje. Ka më se dy dekada që KQZ-ja dhe komisionet e tjera zgjedhore kanë qenë partiake, me militantë partish e jo mbrojtës e respektues të ligjit. Prandaj, edhe zgjedhjet kanë qenë gjithnjë me probleme. Për fat të keq, PD-PS po insistojnë që t’i mbajnë po partiake KQZ-në dhe komisionet e tjera pa menduar se mbase shumë shpejt mund ta pësojnë edhe vetë nga kjo zgjidhje, siç e pësoi PS-ja dhe partitë e tjera edhe në dy zgjedhjet e fundit.
Sugjeroj që zgjedhja e anëtarëve të KQZ-së të bëhet nga disa subjekte. KQZ-ja të ketë 7 anëtarë dhe zgjedhja e tyre të bëhet nga 7 subjekte të ndryshme: Avokati i Popullit, shoqëria civile, Dhoma Kombëtare e Avokatëve, mazhoranca, opozita, Presidenti, Gjykata e Lartë (ose Konferenca Kombëtare Gjyqësore, apo shoqatat e gjyqtarëve) zgjedhin nga 1 anëtar. Kryetar i KQZ-së të zgjidhet njëri nga 7 anëtarët, me votim të fshehtë dhe me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve, për një afat trevjeçar dhe pa të drejtë rizgjedhjeje. Kodi Zgjedhor duhet të përcaktojë kritere të larta arsimore, profesionale e morale për kandidatët për anëtarë të KQZ-së.
Edhe komisionet e qendrave të votimit dhe komisionet e numërimit nuk duhet të jenë partiake si deri më sot, por të formohen me qytetarë që duhen trajnuar nga KQZ-ja gjatë gjithë vitit dhe kur ka zgjedhje thirren për të shërbyer në komisione.
2. KOLEGJI ZGJEDHOR DUHET SUPRIMUAR
Ankimimet për çështjet lidhur me zgjedhjet duhet të bëhen në gjykatë, ndërsa Kolegji Zgjedhor duhet suprimuar si institucion i dështuar. Koha ka provuar se Kolegji Zgjedhor nuk ka asgjë të përbashkët me një gjykatë të pavarur, ai është një mekanizëm partiak, i nënshtruar dhe i komanduar nga pushteti, madje edhe i akuzuar nga opinioni publik dhe opozita edhe për korrupsion e mungesë integriteti. Edhe mohimi i së drejtës së apelimit ndaj vendimeve të Kolegjit Zgjedhor ka qenë antikushtetues.
Ankesat kundër vendimeve të komisioneve të qendrave të votimit dhe numërimit duhet të bëhen në gjykatën e rrethit gjyqësor ku ndodhet komisioni përkatës, ndërsa ankesat kundër vendimeve të KQZ-së të bëhen në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Palët duhet të kenë të drejtë të ankimojnë vendimin e gjykatës së rrethit gjyqësor në Gjykatën e Apelit përkatës dhe vendimin e kësaj të fundit në Gjykatën e Lartë. Gjithashtu palët duhet të kenë të drejtë të bëjnë rekurs në Gjykatën Kushtetuese kundër vendimit të Gjykatës së Lartë në Gjykatën Kushtetuese. Gjykatat e të gjitha niveleve detyrohen të gjykojnë çështjen dhe të marrin e shpallin vendimin e tyre brenda 10 ditësh nga mbërritja e ankimit ose apelimit në atë gjykatë. Pra çështjet që lidhen me zgjedhjet gjykohen me procedurë të veçantë e të përshpejtuar. Afatet e gjykimit të tyre caktohen në Kodin Zgjedhor dhe këto afate (pra jo ato të kodeve të tjera) janë detyruese për të gjitha gjykatat.
3. SISTEMI ZGJEDHOR
Sistemi zgjedhor aktual duhet ndryshuar patjetër, sepse është antikushtetues, dhunon pluralizmin politik, shkel barazinë e votës dhe deformon vullnetin e zgjedhësve. Një sistem proporcional kombëtar, apo sistem i pastër mazhoritar, mendoj se ishte sistemi më i mirë për vendin tonë.
4. NUMËRIMI DHE VOTIMI ELEKTRONIK
Kodi duhet të parashikojë numërimin elektronik të votave, dhe si një opsion edhe votimin elektronik. Numërimi elektronik është shumë më i lehtë për t’u realizuar në praktikë dhe nuk duhet harxhuar kohë me këshillat frenuese e dështake të OSBE-së për projekte pilot, që do i shërbejnë OSBE-së për të mjelë ca fonde për veten e saj dhe për ta tërhequr edhe për shumë kohë zvarrë Shqipërinë. Dihet se numërimi elektronik është çështje teknike dhe nuk ka të bëjë aspak me OSBE-në, por me kompanitë e teknologjisë elektronike. Nëse plotësohen kushtet teknike (pajisjet, energjia elektrike dhe stafi i kualifikuar që përdor pajisjet) kjo mënyrë realizohet. Me sa kam lexuar, Komisioni i Reformës Zgjedhore ka pasur konsulentë të disa kompanive të huaja private me eksperiencë në numërimin elektronik. Si fillim pajisjet nuk kanë nevojë të blihen, por mund të lidhet kontratë me kompani të huaja që kryejnë këtë shërbim edhe në zgjedhjet në vendet e tyre. Edhe vlera e kontratës për këtë shërbim nuk do të jetë e madhe, sepse numërimi zgjat vetëm disa orë. Natyrisht që në rast defekti teknik, apo dyshimi për gabime teknike, Kodi lejon numërimin dhe rinumërimin manual (me dorë) të votave. Realizimi i votimit elektronik i përket së ardhmes, por Kodi e parashikon si një opsion. Edhe këtu në Amerikë, kur votuesi shkon në qendrën e votimit, pyetet se si do të votojë: me fletë votimi apo me kompjuter. Nëse votuesi zgjedh të votojë me kompjuter, i demonstrohet se si bëhet votimi (nëse e kërkon këtë gjë) dhe pastaj futet në dhomën e fshehtë.
Faktet po dëshmojnë se Berisha nuk e do reformën zgjedhore dhe bën gjithçka për ta sabotuar atë. Nëse nuk do të bëhet reforma zgjedhore në të mirë të vendit dhe demokracisë, atëherë ka vetëm një zgjidhje: Populli, Aleanca Kuq e Zi, të persekutuarit politikë, shoqëria civile, FRD dhe forcat e tjera opozitare duhet të bashkohen për t’i dhënë ndëshkimin e merituar mazhorancës që këtë vit, pa pritur 2013-n. Mposhteni frikën! Aq sa e fortë duket diktatura berishiane, aq e pafuqishme do të jetë përballë ortekut të urrejtjes dhe revoltës popullore. Dhe as që do të guxojnë të bëjnë një 21 janar të dytë, sepse fundi i tyre mund të jetë si ai i diktatorëve të vendeve arabe në këto dy vitet e fundit.
Së fundi, dua të përshëndes takimin e Forumit Civil, që mësova se është mbajtur para disa ditësh në Tiranë. Veçanërisht mbështes fort vërejtjet dhe kritikat plotësisht të merituara që i janë bërë OSBE/ODIHR-it. Është fakt se OSBE-ja, pas vitit 1996, sidomos me gjysmë të vërtetat që deklaronte, u ka bërë dëme të mëdha zgjedhjeve të lira dhe demokracisë në Shqipëri. Disa mund të më thonë se po e rëndoj padrejtësisht OSBE-në. Por faktet mbështesin opinionin tim të mësipërm. Unë kam qenë dhe mbetem i mendimit se Shqipërinë duhet dhe mund e do ta bëjnë vetë shqiptarët dhe jo huajt, qofshin këta dhe miqtë më të mirë të vendit tonë. Edhe zgjedhjet, të lira e të ndershme, apo të manipuluara e të vjedhura i bëjnë vetë shqiptarët e jo të huajt. Zgjedhjet e 1992-shit dhe referendumin e 1994-s që konsiderohen si më të lirat dhe të ndershmet në këto 20 vjet, u bënë nga vetë shqiptarët pa angazhimin e OSBE-së. Të huajt, pra edhe OSBE-ja, luajnë rol që mund të jetë pozitiv ose negativ. OSBE-ja, në të gjitha zgjedhjet që janë bërë në Shqipëri pas 1996-s, ka mbajtur qëndrime dyfytyrëshe që kanë ndihmuar vjedhësit e zgjedhjeve. Ajo, edhe në raportet e saj për zgjedhjet, mundohet ta kënaqë shumë pushtetin që manipulon zgjedhjet dhe sadopak edhe opozitën. OSBE-ja ka quajtur zgjedhjet e vjedhura e të manipuluara si “një hap para, por që nuk u arritën të gjitha standardet”. Kështu bëri edhe në dy zgjedhjet e fundit, më 2009-n dhe 2011-n. Kurrë nuk tha të vërtetën e plotë, atë që pa me sytë e saj dhe që u denoncua publikisht me prova nga media, shtypi dhe opozita: Të vërtetën që pushteti i vodhi zgjedhjet. Përkundrazi, përfaqësuesit e OSBE-së u turrën për të uruar dhe puthur pushtetarët që vodhën zgjedhjet. OSBE-ja bekoi e lavdëroi Kodin Zgjedhor më antidemokratik të 2008-s. Për më tepër, në qershor 2012, OSBE-ja i bëri shërbimin tjetër Berishës, duke sabotuar numërimin elektronik kur komisioni e kishte miratuar këtë. Uroj që ky të jetë edhe akti i fundit i OSBE-së në Shqipëri në mbështetje të diktaturës. Jam i bindur se zgjedhjet pa vëzhgues të OSBE-së mund të jenë ose më të mira ose të njëjta, por të paktën edhe nëse manipulohen, pushteti nuk do ta ketë më bekimin e vjedhjes së zgjedhjeve nga OSBE-ja. Edhe vetëm kjo gjë do të mjaftojë që populli të ngrihet për të mbrojtur votën e tij, sepse nuk do të ketë më zjarrfikës si OSBE-ja e ndonjë ndërkombëtar tjetër, shërbëtorë të qeverisë Berisha a të kujtdo qoftë. Është koha që vërtet sovrani popull të marrë në dorë fatet e tij dhe jo t’ua lërë në dorë pazarllëqeve mes PD-PS, as OSBE-së e të huajve të tjerë që bëjnë sikur përvëlohen nga dashuria për Shqipërinë, por në fakt as që e vrasin mendjen për vuajtjet e shumicës së popullit shqiptar dhe revanshin e pandalshëm e terrorizues që ka marrë sot DIKTATURA.
Top Channel