Ekspertët kushtetues në Kosovë janë kundër idesë që misioni i Bashkimit Europian, EULEX-i, të bëhet kategori kushtetuese.

Profesori universitar Riza Smaka, i cili ka marrë pjesë në hartimin e Kushtetutës aktuale të Kosovës, shprehet se nëse ndodh ashtu siç po përflitet në media, do të ishte e palogjikshme.
 
Sipas tij, prezenca e EULEX-it në Kosovë do të mund të rregullohet me një marrëveshje, por jo edhe me futjen e tij si kategori kushtetuese.
           
“Statusi juridik i EULEX-it kurrsesi në asnjë rrethanë, në asnjë kontekst të raporteve ndërshtetërore, qoftë edhe ndërkombëtare, nuk do të mund të instalohet si institut kushtetutar i Republikës së Kosovës, apo cilitdo shtet. Sepse është fjala për një organizatë ndërkombëtare e cila si e tillë do të mund të pozicionohej në kuadër, në korniza, në përmbajtje të një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe EULEX-it(BE-së)”, thotë Prof.Dr. Riza Smaka, Ekspert Kushtetues.
 
Po ashtu, edhe profesori tjetër, Mazllum Baraliu, e ka parë të palogjikshme që me përfundimin e pavarësisë së mbikqyrur një institucion tjetër ndërkombëtar të futet në Kushtetutë.
 
“Sigurisht që nuk është e logjikshme, dhe sigurisht që nuk do të ishte me vend që pas përfundimit të një procesi dhe përfundimit të mandatit të institucioneve ndërkombëtare të pranishme në Kosovë, të futet në Kushtetutë një tjetër institucion me ingerenca të plota ekzekutive. Pra nuk ka kuptim dhe nuk do të duhej pranuar”, ka thënë Baraliu për Top Channel nëpërmjet telefonit.
 
Mundësia që EULEX të bëhet kategori kushtetuese është përfolur pas vendimit të Grupit Drejtues Ndërkombëtar që i jep fund mbikqyrjes së pavarësisë deri në shtator të këtij viti.
 
Deri më tani zyrtarisht nuk është dhënë ndonjë përgjigje konkrete nga Qeveria e Kosovës.
 
Kryeministri Hashim Thaçi ka folur për këtë çështje por vetëm ka thënë se sa i përket misionit të BE-së, EULEX-it, do të gjindet baza ligjore që të jetë në Kosovë deri në qershor të 2014-ës.

Top Channel