NDUE DEDAJ – E dëgjuat lajmin e fundit nga rajoni verilindor i kromit?
“Shënohet viktima e radhës në minierën e Bulqizës. Mesditën e 2
korrikut, një minator ka humbur jetën teksa punonte brenda një galerie,
që administrohet nga një subjekt privat.
Burimet e policisë lokale deklaruan se minatori Dilaver Koçi, 53 vjeç, banor i fshatit Vajkal, ka humbur jetën aksidentalisht në galerinë numër 4, teksa punonte për zhbllokimin e një furneli. Ai është zënë nga një masiv dheu, çka i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme.” Por vetëm një muaj më parë atje vdiq një 24-vjeçar, që gjithashtu e zuri poshtë dheu në një bunker të shpërthyer me eksploziv, teksa po kërkonte copa hekuri për t’i shitur. Tashmë të gjithë e dinë se vdekjet në këtë minierë nuk kanë të reshtur, numri i tyre nga viti në vit vetëm sa është shtuar. Po kush u ndal t’ia numëronte vdekjet Bulqizës? Minierës më të madhe të vendit, që, prej afro 70 vjetësh, më shumë na ka marrë se na ka dhënë. Bulqiza, monumenti i rrëzuar i kapitalizmit tonë “specifik”, minerali i së cilës në vend që t’i bënte ata banorë të hanin me lugë të florinjtë, po ua shkurton jetën dita-ditës. Cili shtetar u nis t’ia ndalonte gjëmat asaj, dhe pse nuk ka drejtues të lartë që nuk ka shkuar atje për të vënë kurora mbi ngushëllimin e minierës? Lexuesi drithërohet sa herë përmendet ky emër, pasi Bulqiza ka qenë pjesë e nekrologjisë së përmuajshme. Me ditënetët e saj mortore të njëpasnjëshme. Ato nuk i ndali as greva tremujore e minatorëve, përfshi dhe atë të urisë një mijë metra thellë,pa ndonjë rezultat, as britma e një oficeri të lartë policie për ta shpëtuar Bulqizën nga korrupsioni e krimi, as mediat që e kanë trajtuar me shqetësim problematikën komplekse të minierës. Pas shuarjes njerëzore të radhës mbi kreshtat e Duriçit plot medalje historike, por jo të sotmet, sërish bie heshtja. Njerëzve të thjeshtë u mbetet vetëm të shkruajnë epitafet e shembjeve të përgjakura.
Bulqiza është sot “ishulli” nëntokësor i vdekjes, i paprekshëm nga askush. Dëshmia më tronditëse e rrënimit të asaj çka trashëguam nga e djeshmja. Por nga pak Bulqizë kemi ngado që vemi. Dhe aty ku na mbyten fëmijët në rezervuarët e ujit gjatë verës dhe nuk e ruajmë dot jetën e tyre. Ndër lajmet mbizotëruese të stinës janë ato të nekrofilisë: aksidentet në rrugë, miniera, krimet në familje, për hakmarrje, etj., deri te plehrat e gjithpushteshme, bërlloku që na ka zënë frymën e që nuk e heqim dot vetëm me ato qeset e zeza të plastmasit që mbajmë në duar gjatë parakalimeve sensibilizuese në bulevard. Si qytetar ti kërkon një zgjidhje tjetër, dhe pse nuk beson dhe aq. Thua për një çast sikur të mblidhej Parlamenti për nja tre muaj radhazi në Bulqizë, të bëheshin atje ligjet për koncesionet, sipërmarrjet në miniera, të dëgjoheshin nga afër zërat e varfërisë e të mbijetesës. Ndoshta kështu Republika jonë Parlamentare do të bëhej më e ndjeshme dhe më e përgjegjshme ndaj fatit shpesh aksidental të popullit të vet kudo ku ai rron. Ndaj Otrantos e Gërdecit. Gjegjanit e Himarës. Për ata që humbasin jetën nëpër fatkeqësi ka vetëm një emër, viktima. Edhe pse rëndom thuhet “për shkak të një gabimi njerëzor”, të vjen të thuash, jo! Pikë së pari, ato ndodhin prej keqmenaxhimit të rrugëve, nëntokës, detit, punishteve të demontimit të municioneve etj. Ka pasur padyshim politikanë idealistë liberatorë, atdhedashës, po si për habi dhe pas njëqind vjetësh prapë mendja na vete fill e te Luigj Gurakuqi! Doemos që ka dhe sot të tillë, por çështja është që ata tashmë të mos jenë një e dy individë qelibar, por krejt klasa politike të jetë asisoj, e ndershme, idealiste e vizionare. Atëherë do të kishim një tjetër qasje ndaj vendit dhe njerëzve, burimeve të tij natyrore, kulturore e shpirtërore. Se nuk është vetëm Bulqiza që apelon fort. ///////////Nëse do që ta prekësh dhe më tej se një minierë a një qytezë punëtorësh rrënimin e visarit ekonomik, turistik e ekologjik, shih Lurën e zhbime me të shtatë liqenjtë e saj dhe mbarë pylltarinë shqiptare, Sarandën me bregdetin e “bunkerizuar” nga betoni etj. Rrënimin social në zonat jo urbane nuk e ndalon asnjë parti e vetme, asnjë qeveri, por të gjithë së bashku, pavarësisht titujve, gradave, posteve, të qenit në pozitë apo opozitë. Atë e ndalon ndërgjegjësimi ynë kombëtar dhe veprimi qytetar i përditshëm.
Është e vështirë të besosh se në Bulqizë gjithçka ndodh për shkak të “një gabimi njerëzor” sot e “një gabimi njerëzor” nesër, që nganjëherë tingëllon si një tallje dhe me vetë vdekjen. Por mundet që ca gjëra nuk funksionojnë siç duhet, ngaqë shteti është uzurpuar jo pak nga pushteti. Nga interesa të caktuara jo vetëm sipërmarrësish ekonomikë. Nuk i dilet përzot pronës publike, pasuritë e mëdha kombëtare, si mineralet shpesh lihen në duar firmash fantazma që nuk investojnë për prodhimin, por vetëm e zhvatin atë. Po dhe sa asete të tjera gjithandej republikës, që ose janë lënë të degradojnë, ose keqshfrytëzohen, si tokat, pyjet, lumenjtë, bimët industriale, kafshët e egra etj. Sheh gjithandej ndërtesa të reja që lartohen deri në qiell, gjë që natyrisht të gëzon, teksa në sytë e të gjithëve prej njëzet vjetësh “kalben” dhjetëra godina shtetërore, jo pak moderne të ndërtuara buzë viteve ‘90, pesë e gjashtë katëshe, spitale, hotele, seli administrative, reparte ushtarake të lëna shkret, që nuk ishin ca ngrehina të rëndomta si hangarët e kooperativave bujqësore. Ato po kthehen në gërmadha, kurse shteti i paguan qira privatit për zyra administrate(!) Duket se askush nuk do t’ia dijë seriozisht për trashëgiminë ndërtimore, minerare, agrare etj., edhe kur ajo mund të rivitalizohet në shërbim të komunitetit. Përkundrazi, objekte të tilla janë kthyer në objekt grabitjesh të hekurishteve për skrap, duke qenë herë-herë dhe burim aksidentesh.
Do të ishte e dëshiruar që secili të gjente fjalët e mira, të numëronte arritjet, që i kanë hije festës jubilare të 100-vjetorit të Pavarësisë dhe jo të ndalej te mungesat apo dështimet, mirëpo është duke ardhur vjeshta e jemi për të tretin vit para provimit të Europës që nuk dimë do ta marrim apo jo. Uron që kjo të ndodhë sa më parë, që koha europiane të punojë dhe për ne, por më parë duke punuar vetë ne për atë, që në rastin e Bulqizës do të thotë të ketë drejtësi dhe jo mëshirë, sjellje të përgjegjshme e qeveritarëve me pronat publike, kurse sipërmarrësit që vijnë nga shtetet europiane të shtrëngohen që të sillen edhe këtu si kodo në botën e qytetëruar. Bulqiza është një ngjarje shokuese dhe për shkakun e tyre. Në asnjë shtet të Europës nuk do t’ua lejonte kush këtë gjendje merr e mos jep në minierat që shfrytëzohen prej tyre. As në Afrikë. Garante kudo janë qeveritë. Prandaj kambanat për Bulqizën do të vazhdojnë të bien, deri sa t’ia ndalojmë asaj vdekjet e mijëvjeçarit të tretë, pikëllimin e saj të madh.
Top Channel