Xabi Alonso: Qeshja me kritikat ndaj Spanjës

04/07/2012 11:40

Xabi Alonso, mesfushori i Spanjës dhe Real Madrid, theksoi se i ka ardhur për të qeshur kur lexonte kritikat mbi lojën e kampionëve të Europës dhe Botës në fuqi gjatë EURO 2012.

Në një intervistë për ‘La Gazzetta dello Sport’, futbollisti deklaron se Spanja ishte “thuajse perfekte” në finalen ndaj Italisë të dielën e kaluar, ndeshje që e kontrolluan plotësisht, sipas tij.

“Më dukej demagogji gjithçka që thuhej për lojën e Spanjës: për mungesën e sulmuesit të pastër apo për mërzinë që shkaktojnë pasimet tona të shpeshta. Mua më vinte për të qeshur kur lexoja shtypin”, thekson Alonso.

“Mua më pëlqen të lexoj mendimet e të tjerëve, por kurrë nuk ndikohem sepse i kam idetë e qarta”, shton mesfushori, i cili shënoi 2 gola në EURO 2012.

Xabi Alonso është i bindur se filozofia e lojës që ndjek prej vitesh Spanja do bëjë që sukseset të vazhdojnë edhe në të ardhmen: “Kemi bërë historinë dhe me logjikë do të vazhdojmë të fitojmë në të ardhmen. Jemi vetëm 3 lojtarë mbi 30 vjeç dhe me disa lojtarë të rinj do të vazhdojmë të kemi një kombëtare të mirë.”

Top Channel