Atleti francez sulmon 14-vjeçaren pas fitores

04/07/2012 11:20

Pas fitores në garën e 3 mijë metrave me pengesa, një atlet duhet të jetë i lumtur për arritjen e tij.

Por edhe pse fitoi medaljen e artë në kampionatin europian të atletikës në Helsinki (Finlandë), francezi Mahiedine Mekhissi-Benabbad nuk dukej aspak i kënaqur.

Pas prerjes së finishit, 27-vjeçarin po e priste një vajzë 14-vjeçare e veshur si maskoti i turneut me një çantë në dorë për t’i uruar fitoren, por francezi goditi çantën me forcë dhe i dha një të shtyrë adoleshentes.

Vajza nuk pati lëndime nga ky sulm i pakuptimtë, por video e regjistruar të dielën tashmë është në Youtube dhe pritet se çfarë do të ndodhë me atletin e pasjellshëm.

Drejtori i kompeticionit, Mika Muukka, theksoi: “Një sjellje e tillë është krejtësisht e papranueshme. Shpresojmë që një hetim i plotë të nisë sa më shpejt.”

Nuk është hera e parë që Mekhissi-Benabbad bëhet protagonist pas përfundimit të një gare. Vitin e kaluar nisi një sherr me bashkëkombasin e tij Medhi Baala pas garës së 1500 metrave në Diamond League.

Benabadd u dënua me 10 muaj pezullim për atë incident.

Top Channel