Ne po i mbrojmë pemët e parkut edhe për Saliun

03/07/2012 00:00

ARTAN LAME – REPLIKË – Përgjigje për deklaratat e kryeministrit Berisha në mbledhjen e Komitetit të Planifikimit të Strategjive

Unë dhe gjithë qyteti kemi dy javë që merremi me Parkun. Vjen Saliu tani dhe, në vend të merret me Parkun merret me mua. Ju ndoshta prisni që unë të përgjigjem paraqendé si Saliu por, meqenëse më intereson çështja e Parkut, thjesht do përpiqem të bëj dialog me të. Fjalët e tij janë marrë ekzaktësisht nga fjalimi i tij i djeshëm:

– Qeveria nuk mund të mos investojë për ndërtimin e Rrugës së Elbasanit – deklaroi ai në mbledhjen e djeshme.

– Po pse, kush i ka thënë qeverisë të mos investojë në Rrugën e Elbasanit?! Ne thjesht kemi kërkuar të bëjë publik projektin e miratuar, siç e kërkon ligji.

– Sepse kjo përbën një domosdoshmëri të madhe, për faktin se Farka, e cila pak vite më parë ishte një zonë shumë modeste në popullatë, sot po shndërrohet, dora-dorës, në një nga qytetet e mëdha të vendit.

– Farka po shndërrohet në qytet – e bukur kjo, po si do quhen qytetarët e Farkës sipas kryeministrit? Pastaj, nëse Farka po shndërrohet në qytet, pse u dashka të vijnë në një qytet tjetër që është Tirana?

– Natyrisht, është e dhimbshme prerja e atyre pemëve atje…,

– Mos më trego dhimbjen, se unë jam rritur me ato pemë dhe i kam parë të rriten, ndërsa ti i pe për herë të parë kur zbrite në Tiranë.

-… por rruga duhet zgjeruar.

– Kush je ti që vendos se cila rrugë duhet zgjeruar e cila jo? Po qe se e vendoske ti, për çfarë na duhen ligjet dhe institucionet?

– Jam i bindur se ata qytetarë të cilët e kanë të domosdoshme rrugën e gjerë, të përshtatshme për të ardhur në qendër të Tiranës, do të votonin, jo një herë, por shumë herë, për zgjerimin e rrugës.

– Ta zemë se ka qytetarë që do votonin për zgjerimin e rrugës, po për qytetarët që nuk e duan zgjerimin, si i bëhet? Kush i numëroi sa janë njëra palë e sa tjetra? Apo mjafton bindja jote?

– … do të votonin, jo një herë, por shumë herë, për zgjerimin e rrugës.

– Si gjithmonë, ky njeri nuk hoqi dorë nga votimi i të njëjtëve njerëz disa herë.

– Natyrisht, ato pemë duhet të zëvendësohen 1 nga 1.

– Me këtë mos m’u mburr, sepse e para e punës ky është detyrim ligjor (shih Ligjin e Planifikimit të Territorit dhe Ligjin e Mjedisit); dhe e dyta, edhe pemët që preu edhe ato që do mbjellë, me paratë e mia dhe të tiransve do mbillen, se mos i nxore nga xhepi?!

– Bashkia po mbjell dyfishin e tyre.

– O Sali, po ky Luli do eci ndonjëherë vetë, apo gjithë jetën do fshihet prapa teje? Ç’punë ke ti që del e thua se ç’do mbjellë Luli? Lere të dalë e ta thojë vetë.

– Sikundër, zoti ministër Olldashi, për ato pemë që akoma nuk janë prerë, të ndihmohen organizatat mjedisore në marrjen e tyre dhe transplantimin në një vend tjetër. Kjo është shumë pozitive, ndaj ne mund t’i ndihmojmë, apo të paguajmë diçka më tepër, për t’i transportuar këto pemë së bashku me dheun dhe rrënjët, në mënyrë që të transplantohen në një vend tjetër.

– Këtu ka arritur në delir. Imagjinoj Olldashin që, teksa e dëgjon përpiqet të mbajë të qeshurën, ndërsa mendon me vete: çfarë mashtruesi!!!

– Por rruga do të zgjerohet, sepse qytetarët e të gjitha atyre zonave nuk mund t’i dënosh e t’i lësh pa rrugë.

– O shqiptar, kë ke dëgjuar të thojë se nuk duhet zgjeruar rruga, apo se nuk duhet ndërtuar rruga e re (që edhe po ndërtohet), apo se duhen dënuar banorët? Ne po të themi bëj publik projektin e miratuar, madje jo ne, por po ta thotë ligji.

– Ajo zonë është një lagje banimi tashmë.

– Harroi që tre fjali më lart kishte thënë që ishte shndërruar në qytet i madh. E shihni se kush na qeveris!

– Shoh që për këtë çështje protestonte edhe “shkatërrimtari” i Golemit, njeriu i 100 profesioneve që nuk i del zot asnjërit prej tyre. Ju e dini vetë emrin e tij e nuk ka nevojë ta them. Blla, blla, blla…

– Ka 20 vjet që gjithë PD-ja imiton ato që thotë Saliu. Tani që u plak, po fillon Saliu të imitojë të vetët. E them këtë se kështu më kanë quajtur dikur ministrat e tij me Pangon në krye. Tani po i imiton Saliu fjalët e tyre. E rëndë kjo.

I dashur Sali, ato pemë u përpoqëm e po përpiqemi t’i mbrojmë edhe për ty. Tani në prag të pensionit, edhe ti do kesh nevojë për oksigjen e për të bërë vrap nga Liqeni. Dëgjomë mua, në s’ke ndërmend të ikësh për fare nga Shqipëria, është më mirë t’i bësh hyzmetin Parkut, se përndryshe do mbetesh të bësh xhiro nëpër betonin e Rrugës së Elbasanit, ndërsa autobusët e Qendrave Tregtare do nxitojnë drejt Farkës, duke të lëshuar tym e pluhur. Çështje brezash.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA