
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, ka reaguar
të hënën ndaj akuzave të bëra nga opozita në drejtim të KQZ lidhur me
vendimin më të fundit të këtij institucioni për të shtyrë referendumin
për importin e plehrave.
“Kriter i vlerësimit të punës së KQZ-së është shteti ligjor dhe jo konferenca e radhës për shtyp e kujtdo partie politike në vend. Në mënyrë konsekuente ne kemi zbatuar ligjin dhe se kriter i vlerësimit është shteti ligjor”, deklaroi Ristani.
Ai i ka shmangur përgjigjet rreth akuzave të opozitës, duke u shprehur se nuk merret me politikë dhe se transparencën e punës së KQZ e kanë vlerësuar institucione të rëndësishme ndërkombëtare si OSBE/ODIHR.
Mandati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mbaron në muajin shkurt 2013, ndërkohë që nuk dihet nëse do të jetë sërish Ristani në krye të këtij institucioni të rëndësishëm.
Top Channel