Deputeti demokrat, Mark Mark mendon se ndryshimet e fundit në qeveri dëmtojnë mazhorancën dhe vetë Partinë Demokratike para zgjedhje të vitit të ardhshëm.
Në një rrëfim të rrallë në Shqip në Top Channel me gazetaren Rudina Xhunga, zoti Marku foli për situatën brenda Partisë Demokratike, e cila sipas tij ka nevojë për rikonceptim dhe demokratizim: “Partitë politike në Shqipëri duhet të demokratizohen. Të flasësh në një parti politike në Shqipëri është sakrilegj. Unë nuk mund ta pranoj si fakt që 20 vjet pas rënies së diktaturës, në formacionet politike shqiptare të ketë kaq pak mungesë debati. Ka ardhur koha që të hapet debate politik brenda Partisë Demokratike. Ka patur njëlloj situate politike konfliktuale që e bën shumë të vështirë qendrimin kritik brenda partisë. Në momentin kur palët janë në konflikt, qendrimi kritik brenda partisë do të quhej si dezertim apo tradhtar. Ka patur disiplinë brenda PD që për mendimin tim ka qenë e nevojshme, por mendoj që tashmë disiplina është e dëmshme”.
Sa i përket zgjedhjes së presidentit, deputeti Marku tha se ka qenë një mbështetës i fortë i një kandidature politike dhe se për të Jozefina Topalli do të ishte një presidente mëse e denjë: “Unë kam qenë për një president politik. Kam qenë dhe kam mbështetur Jozefina Topallin nisur nga karriera politike, grua dhe përfaqëson të djathtën konservatore shqiptare”.
Zgjedhja e Presidentit, mungoi serioziteti
C’mendim ka deputeti Marku për dy kandidaturat e tërhequra nga gara?: “Për njërin (Zaganjorin) nuk jam shprehur, për tjetrin marr të mirëqenë (pjesëmarrjen e tij në sigurimin e shtetit) për shkak se ai u tërhoq. Janë dy kandidatura që janë të implikuara me regjimin komunist dhe mbi të gjitha problem është se kanë rezultuar që në nisje kandidatura të shantazhueshme. Mendoni sikur të ishin president dhe presidenti të ishte i shantazhueshëm?! Mendoj që kjo është shumë e rëndë dhe përgjegjësia bie mbi propozuesit kryesorë, Berisha dhe Meta dhe jo nga padija e tyre. Dy figurat e përfaqësuara, të dy kanë qenë propozuesit kanë patur mundësi të njohin dosjet e tyre, në një farë mënyrë një nga problemet më të mëdha në zgjedhjen e presidenti ishte mungesa e seriozitetit në trajtimin e Presidentit të Republikës. Të zgjedhësh një ish-bashkëpunëtor të regjimit do të thotë papërgjegjshmëri dhe joseriozitet. Presidenti i Republikës e përcakton vetë nëse do kryejë detyrën apo jo dhe presidenca e zotit Nishani do të përcaktohet shumë nga vetë Nishani”.
Topi nuk përmbushi pritshmëritë
Sa për presidenti në largim zotin Bamir Topi deputeti demokrat, pasi deklaroi se ka qenë një ndër mbështetësit e tij në kohën kur u zgjodh president, tha se ndjehej i zhgënjyer dhe se Topi nuk përmbushi pritshmëritë në krye të institucionit: “Ka qenë një kandidaturë e mirë për president në fillesë, por paradoksalisht ka funksionuar më keq politikisht. Ka patur më shumë profil politik në kohën kur ka qenë nënkryetar i Partisë Demokratike dhe i grupit parlamentar të saj. Si president nuk ka ditur të ushtrojë detyrën. Ai ka menduar se pavarësia e institucionit fitohet duke mos vepruar. Të mos veprosh nuk do të thotë të jesh i pavarur. Një figurë inaktive si Topi nuk besoj se mund të krijojë një strukturë politike, nuk besoj që të organizojë strukturë dhe e dyta të konceptojë një formacionin politik”.
Zgjedhjet e 2013-ës, mision i pamundur për PD-në
Zgjedhjet e 2013-ës, për deputeti Marku janë një mision i pamundur për demokratët. Për këtë ai fajëson kryesisht konsumimin prej 8 vitesh dhe nevojën për ndryshime në PD: “Partia Demokratike nuk mund të vazhdojë në heshtje rrugën e vet drejt një fushate zgjedhjesh shumë të vështira, për të mos thënë të pamundura për t’u fituar për shkak të konsumimit 8-vjecar. PD duhet të reformohet dhe që të fitojë në 2013, patjetër duhet të ndryshoje thellësisht. PD si strukturë është një parti-lider dhe Berisha ka peshën kryesore, pjesa më e madhe e gjërave që ndodh në PD përcaktohet nga vullneti i Berishës, por PD nuk është vetëm Berisha është edhe elektorati i saj. PD është një aset dhe s’mund të trajtohet si pronë, ndaj unë kërkoj të ndryshojë Partia Demokratike.
Partitë në Shqipëri, disiplinë ushtarake
Zoti Marku kritikon sistemin e ngritjes dhe funksionimit të partive në Shqipëri, që për të më shumë janë formacione “ushtarake”: “Partitë kanë shkruar drejt një lloj disiplinimi ushtarak dhe kjo është e dëmshme. Liderat nuk janë të pandryshueshëm, nuk janë të përjetshëm dhe ideja e rethemelimti është një ide politike që ka ndodhur me pjesën më të madhe të formacioneve politike në Europë, sic ka ndoshur me UNP-në në Francë. Kjo është forca kryesore e djathtë në Francë dhe gjatë presidentit Shirak, është transformuar dy herë, duke rithemeluar formacionin e tij politik, që nga 1958 është transformuar pesë herë”.
Rithemelimi, i domosdoshëm për vetë të djathtën
Në prag të 2013-ës, një akt rithemelimi i PD-së, i ngjashëm me të njëjtat e ndodhura në parti të djathta në Europë është i nevojshëm: “Pse duhet bërë rithemelimi? Sepse partia është konsumuar. Fakti që PD detyrohet të bëjë koalicion me një parti të majtë, do të thotë që vetëm me militantët e saj, nuk e bën dot. Një parti e djathtë që s’ka një qeveri të djathtë. Rithemelimi nuk do të bëhet duke koleksionuar figurat e djathta, por duke rivitalizuar vetë partinë. Një rithemelim do të thotë që të gjithë korrentet e djathta jashtë PD-së, të gjejnë mundësi të përfaqësohen brenda partisë, duke siguruar fitoren e së djathtës, pa pasur nevojë për koalicion me të majtën”.
Ndryshimet e LSI në qeveri, fyese për kryeministrin e sistemin tonë demokratik
Sa për ndryshimet e fundit në qeveri, deputeti Marku thotë se vecse të palogjikshme janë edhe fyese: “LSI lajmëroi ndryshimin e ministrave të saj sikur të kishte qeveri më vete dhe PD një qeveri më vete. Ishte fyese për sistemin tonë politik dhe për kryeministrin po e po, ajo që ndodhi me këto ndryshime, që të ndërrohen ministrat sipas dëshirës, në një moment të caktuar, pa logjikë. Zootekniku Ministër i Jashtëm, ish-ministri i Jashtëm bëhet Ministër Ekonomie, prandaj mendoj se këto ndryshime nuk kanë logjikë, prandaj duhet rithemeluar PD”.
Pakënaqësia ndaj PD-së ndihet qartë në elektorat
Deputeti demokrat tha se pakënaqësia ndaj PD ndjehet në elektorat dhe se kjo nuk duhet neglizhuar: “Përjashto ata që janë të lidhur drejtpërdrejt me pushtetin, që kanë një marrëdhënie të ngushtë interesi, shtresa e madhe e elektoratit dhe demokratëve janë të pakënaqur nga PD dhe kjo tashmë është e ndjeshme. Ky shqetësim është i përhapur gjerësisht. Në parlament ka 3-4 deputetë që qëndrojnë kot fare, nuk përfaqësojnë absolutisht asgjë dhe janë njehsuar me karrigen dhe janë aty sepse nuk flasin e ngrenë kartonin. Pse duhet të qëndrojnë këta dhe të mos jetë në PD përshembull një figurë si Uran Butka, pse të mos jetë ky një nga ata që qëndrojnë atje në mënyrë honorifike. Ose rasti i zotit Arbnori, përse të zhdukej nga jeta politike?
E ardhmja politike e vetë Markut
Historia ka treguar se zërat kundër në Partinë Demokratike nuk kanë zgjatur shumë brenda saj, ose janë larguar duke formuar formacione të tjera politike, ose janë zhdukur nga skena politike: “Të qëndroj me dinjitet dhe të largohem me dinjitet. Nëse do të më duhet të largohem është qëllimi im. Unë dua të jem i dobishëm për partinë dhe idetë e mia, ndërsa angazhimi politik nuk është një punësim. Unë kam një profesion tjetër dhe politikën nuk e zgjodha si një mundësi punësimi, por një mundësi për të bërë diçka të rëndësishme”.
Emri i Flamur Nokës në krye të Ministrisë së Brendshme, për zotin Marku nuk është një ndryshim i goditur, nga ata që ka nevojë qeveria në prag të zgjedhjeve. Sipas tij, brenda qeverisë ka persona që nuk kanë më motivim në punën që bëjnë: “Nuk është ndryshim, është zëvendësim. E shikoj pak a a shumë në frymën e emërimeve që ka patur deri më tani në qeveri. Nuk e gjykoj zotin Noka as më keq as më mirë. E rëndësishme në qeveri nuk janë emra, por funksionimi në qeveri, ndryshimet i shikoj si të rëndësishme dhe mendoj që duhet të bëhen për të reflektuar. Do më dukej anormale që PD të shkonte në zgjedhje pa ndryshime. PD duhet të jape mesazhin e reflektimit dhe natyrën e konfiguracionit në zgjedhjet. Nëse Noka është mesazhi i reflektimit atëherë nuk do të ketë mesazh. Mua më duket e rrezikshme, nuk frymëzon elektoratin një qeveri pa frymëzim. Zgjedhjet duhen fituar me frymë. Kam përshtypjen që mungesa e dëshirës për të ndryshuar, ka të bëjë me mungesën njohjes së perceptimit të qytetarëve. Ka një shkëputje të formacioneve politike shqiptare, ato janë të izoluara nga qytetarët. Qeveria është në stanjacion, disa emra janë konsumuar, s’kanë më dëshirë, janë thjesht për inertësi në ato pozicione. Duhen rikonceptuar politikat brenda qeverisë”.
Heshtja që karakterizon mbledhjet e deputetëve të Partisë Demokratike, kushtëzohet nga ajo që zoti Marku e quajti një konformizëm: “Nuk flasin në mbledhjet e grupit pasi zgjedhin konformizmin se e kanë më të lehtë para anti-konformizmit. Berisha ushqen konformizmin në Partinë Demokratike”
Meta fajtor për qytetarët
Korrupsioni është mbetet një fenomen shqetësues për shoqërinë shqiptare: Perceptimi për korrupsionin dhe faktet janë krejt ndryshe. Perceptimi është shumë më i ekzagjeruar. Në rastin Meta kemi fakt viziv por jo juridik. Drejtësia e ka shpallur të pafajshëm Metën, por për qytetarët ai s’është i pafajshëm. Ndërsa Berisha ka pritoritet pushtetin, jo pjesën materiale. Unë nuk u besoj këtyre fakteve apo sulmeve që i bëhen. Berisha personalisht nuk është tip i korruptuar por ka ambicien për pushtet. Është një njeri shumë politik. Problem është që PD ka ardhur në pushtet me një kauzë për luftën kundër korrupsionit.
Sa për situatën në sistemin e drejtësisë, sidomos gjyqësorin, deputeti Marku fajësoi presidentin aktual: “Gjyqësori është një nga më të korruptuarit dhe fajtor për këtë është zoti Topi. Mendoj që Kreshnik Spahiu nuk do të ketë akses tek qytetarët shqiptarë. Mendoj që është një ndër përgjegjësit kryesorë të deformimit të drejtësisë. Nënkryetar i KLD-së që është marrë me aktivitet politik.
Në skenën politike është shfaqur FRD, ajo që shumë e quajnë partia e Topit. Por sa akses do të ketë ajo tek elektoratike shqiptar. Për deputetin Marku FRD do të krijojë vend në elektorat nëse do të gabojë PD: “FRD do ketë sukses apo jo, do të varet shumë nga PD. Nuk ka kuptim që ne t’i paragjykojmë, nëse do të ketë sukses FRD kjo do të jetë më shumë prej gabimeve të PD-së”.
Më tej, zoti Marku tha se lufta kundër korrupsionit nuk ka qenë shumë efikase dhe se sistemi i drejtësisë mbetet më problematik. Sa për të ardhmen e tij, deputeti demokrat tha se do të vijojë të japë kontributin e tij brenda Partisë Demokratike duke hartuar edhe një plan se si duhet të paraqitet kjo forcë para elektoratit në zgjedhjet e vitit të ardhshëm:
“Projekti im politik është për rikonceptimin e PD-së dhe së djathtës, për mënyrën se si duhet të paraqitemi në zgjedhje. Unë do t’i shkruaj, strukturoj idetë do t’ia paraqes kreut të PD-së, strukturave dhe opinionit publik. PD është një aset publik”, tha Marku.
Në fund të fjalës së tij, deputeti demokrat shprehu mendimin e tij mbi dy cështje në qendër të vëmendjes së opinionit publik këto ditët e fundit, prerja e pemëve në Liqenin Artificial dhe referendumi mbi importin e mbetjeve urbane. Zoti Marku tha se është pro mbajtjes së referendumit për ligjin e mbetjeve dhe shprehu kundërshtimin e tij për prerjen e pemëve në Liqenin Artificial.
“Nëse prerja e një pemë është e paligjshme, s’mund të justifikohet”, tha ai.
Top Channel