Aleksandër Çipa – Që prej Makiavelit e deri te Baladyr, e gjer te shumë e shumë politikëbërës të famshëm të ditëve tona, provohet si aksiomë e thëna: “Qeverisësi e ka për detyrë të shpërndajë optimizëm edhe në kulm krize”.
Kryeministri Berisha është njëri prej tanëve që e ka përvetësuar fort mirë këtë mësim politik. Madje me përvojën e vet këmbëngulëse, ai po e aplikon në shumëplanësi këtë maksimë, duke e shndërruar në një sipërmarrje kreshendo për shumëçka në jetën publike dhe lëmitë e tjera.
Në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Kryeministri Berisha po artikulon patetikisht dhe më shumë verbalisht, një kalendar kremtimesh të cilat për ne, brezin e lindur në vitet kur shembeshin kisha e xhami, na tingëllon si një protagonizëm që ka lidhje edhe me një akt rivendikues të historisë dhe personazheve të historibërjes në krye të 100 vjetshit shtetëror.
Nëse kjo sipërmarrje ka lidhje me nevojën e optimizmit që nevojitet si mision qeverisës, kjo është një e drejtë natyrale që ka ai si politikan, por nëse kjo mënyrë, merr vlera reminishenciale me mëkate dhe gabime hundëfutëse të politikës në shkencat e memorialistikës dhe historiografisë, atëherë Kryeministri me dy mandate dhe politikani më jetëgjatë i shekullit XXI ndër shqiptarë, po hyn në sinorin e gabimeve të paraardhësve shqiptarë.
Në një këndvështrim krahasues me politikanë të arealit postkomunist në zonën eurojuglindore, si Kryeministri Berisha nuk gjen të dytë. Jo vetëm për jetëgjatësinë dhe kurbat e rënie-ngritjes politike! Nuk gjen sivëlla politik të zotit Berisha askund në rajon, të ketë ndërmarrë aksione politike rishkruese dhe rivlerësuese për historinë politike të kombit të vet. I vetmi rast i mundshëm për t’iu referuar është ai i Kryeministrit aktual në Maqedoninë fqinje, zotit Nikolla Gruevski, i cili qëllimisht është fokusuar te monumentalizimi dhe rishkrimi i historisë së vjetër të vendit të tij, duke e përdorur aksionin e vet në kontekst provokativ me fqinjët dhe me situatën e përplasjes që ka, sidomos me Greqinë, për shkak të kontestimit zyrtar që ajo i bën emrit të vendit të tij.
Ish-kryeministri maqedonas Gjeorgjievski u shpreh këto ditë se Shën Naumi është një truall i grabitur nga Shqipëria. Kjo pendesë e rëndësishme, bëhet akti jetëshkurtues i vendimmarrjes politike jo në kohën e mbretërisë sonë, por sidomos i së drejtës së grabitur prej fqinjëve tanë. Ky pohim befasues i tij duhet marrë edhe si një dëshmim i së drejtës shqiptare, e mohuar prej historiografisë maqedonase. Kjo është një pendesë historike e një ndërgjegjeje politike.
Natyrisht, rasti i zotit Berisha është tjetër. Nuk ka asnjë polemikë politikoetnike me politikanët fqinj dhe ka realizuar disa marrëveshje me dy shtete, me të cilët ne kemi realisht problematikën kryesore të marrëdhënies historike, për historiografinë. Këto marrëveshje, të shumëdiskutuara, janë realizuar prej qeverisë së tij me Greqinë dhe Turqinë.
Nuk ka qasje provokative ndaj fqinjësisë në të gjithë aksionin propagandistik të qeverisë dhe padyshim, edhe në platformën kremtuese zyrtare për këtë 100-vjetor.
Ky është një pozitivitet dhe i bën nder ambicies dhe ndërgjegjes zyrtare integruese të vendit tonë. Kjo është natyrë e përcaktuar dhe e njohur oportune e vetë zotit Berisha, i cili tipologjikisht gjeneron përplasje të forta dhe shpesh agresive me kundërshtarin e brendshëm politik, por kurrë nuk ka qëndrestari dhe refuzim kategorik politik me fqinjët, qoftë edhe për çështje historike, përjashto Serbinë, në raport me çështjen tonë për Kosovën.
Me këtë kujdes makiavelist, sidomos pas ardhjes në pushtet në vitin 2005, Kryeministri Berisha sendërton një investim demarkacionist përballë palës antagoniste politike të tij, së majtës së mbetur. Aksioni i ndërmarrë nuk është thjesht një tur aureolik politik që për shkak të simbolikës së mbushjes së një shekulli, kërkon të fitojë kredo vetjake politike.
Mirëpo nuk është as thjesht një betejë propagandistike me qëllime paraelektorale. Është diçka shumë më e thellë.
Kumti i platformës kremtuese për 100-vjetorin dhe sidomos vënia në dispozicion e gjithë arsenalit institucional dhe studimor, në funksion të një rishikimi, rivlerësimi dhe rihierarkizimi të protagonizmit politik, shtetformues dhe historibërës në 100 vjetshin e shtetit shqiptar, është në vetvete një shërbesë autoprofiluese për politikanin jetëgjatë Berisha. Në përballje me këtë peshë specifike dhe sidomos falë kësaj specifike dominante që ka zoti Berisha në 22 vjetshin e fundit politik, fatkeqësisht antagonistët politikë të tij janë krejt të papërgatitur dhe me kauzën e ndërgjegjes së tradhtuar, në raport me trashëgiminë. Nuk ka prej së majtës zyrtare asnjë përpjekje për t’u përfshirë institucionalisht në platformën kremtuese dhe sidomos në dakordësinë ose jo me vendimmarrjen vlerësuese për protagonistët historikë dhe ngritjen e shtatoreve të tyre në mjediset më evidente publike në qytetet tona.
Mirëpo, kjo ndërmarrje e zotit Berisha, e përkuar me detyrimin historiko-institucional si Kryeministër aktual, po ngjet pikërisht në kohën dhe momentet e epilogut politik të tij. Nuk ka askush dyshim se jetëgjatësia politike e tij është pranë fundit, pavarësisht se jetëgjatësia qeverisëse mund të jetë e ndryshme nga e para.
Në këtë situatë, sipërmarrjet e tij dhe sidomos kujdestaria ndaj fondamentit historik shtetformues dhe ndaj vlerës shtetndërtuese të paraprijësve, janë matanë fasadës, një përmbajtje e shprehur më së miri me fjalën e Stendalit për “Restaurimin”. Të majtët në përballje me këtë aksion të kryeministrit nuk kanë asnjë predispozicion e aq më keq, vetëpërfshirje ruajtëse. Ata nuk ngrihen dot as te pyetja e Alfred dë Vinjisë:” Po neve, çfarë gjëje e shenjtë na mbeti?”. Kjo e majtë nuk ka vokacion reagues as për kriterizimin dhe as për evitimin e autoritarizmit vendimmarrës të kryeministrit për gjithë detajet dhe axhendën e kremtimeve të 100-vjetorit. Historia e mohuar e shtetformimit dhe protagonizmit shtetformues shqiptar nuk ka pse lihet në “duart politike” të qeverisë. Historia është jetëgjatësi e përhershme kombëtare, ndërsa vendimmarrjet e qeverisjeve, janë në provën e përhershme se sa jetëgjatësi do të kenë. Në epilog të jetës së vet politike, zoti Berisha po bën gjithsesi një lojë të dyqëllimshme me historinë shtetërore shqiptare. Po sillet si nderues dhe po vepron si përfitues.
Top Channel