Është në prag të 50 vjetorit e mbase kjo nuk ishte dhurata që priste.
Martesa e tretë e Tom Cruise përfundoi pas 5 vjetësh, të paktën këtë
tregojnë raportet në media, sipas të cilave ylli hollivudian dhe
bashkëshortja e tij, aktorja Katie Holmes po përgatisin dokumentet e
divorcit.
I pari që përcolli lajmin ishte site “People”, i specializuar në yjet e Hollivudit.
“Bëhet fjalë për një cështje private mes Katie-t dhe familjes së saj”, tha avokati i 33-vjeçares që ngjiti shkallët e karrierës me serialin televiziv “Dawson`s creek” e më pas me filma të një buxheti të madh si “Batman Begins”.
Shqetësimi kryesor i Katie-t, vazhdon ai, është e bija 6 vjecare Suri, ashtu sic ka qenë gjithmonë. Martesa e tyre në liqenin Braçiano të Italisë në 2006-ën, qe luksoze dhe e sofistikuar, kurorëzimi perfekt i një lidhjeje që pushtoi vëmendjen e medias.
Që nga momenti kur takoi bashkëshortin e saj të ardhshëm, Holmes interpretoi në disa filma të rëndësishëm dhe besohet gjërësisht se influenca e të shoqit ndikoi shumë në këtë drejtim. Por përfitimet nga fama e tij, erdhën me një kosto për aktoren e re: Cruise, kontrollonte sipas gjasave, cdo projekt filmi të së shoqes, e madje edhe më shumë se aq.
Vetë 49-vjeçari, sipas përfaqësuesit të tij, është thellësisht i trishtuar nga vendimi i Katie-t për të kërkuar divorcin, e sic thotë, nuk e priste një gjë të tillë.
Tom Cruise ka qenë i martuar dy herë më parë, në fillim me aktoren Mimi Rogers, e më pas me Nicole Kidman, karriera e së cilës, sipas revistës Forbes, ishte e mbytur deri në momentin kur lidhja e tyre mori fund.
Top Channel