Rama: S’ka reformë zgjedhore pa ndryshuar KQZ-në

30/06/2012 22:00

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama reagoi përmes një shkrimi të publikuar në blogun e tij për vendimin e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në lidhje me referendumin për cështjen e importit të plehrave.

Rama e quan vendimin si vazhda e traditës së institucionit të marrë peng nga pushteti. Numri një i socialistëve thotë se zgjedhjet e ardhshme do të jenë referendumi kundër pushtetit të vjedhur për të vjedhur e ndotur Shqipërinë dhe premton shfuqizimin e ligjit sapo në pushtet të vijnë socialistët.

“Zgjedhjet e ardhshme do të jenë vetiu edhe vetë referendumi, ku vota kundër këtij pushteti të vjedhur për të vjedhur e ndotur Shqipërinë do të jetë njëkohësisht edhe votë për të zhbërë ligjin famëkeq të importit të plehrave. Duke votuar për frontin e sotëm opozitar qytetarët do të votojnë edhe për një Shqipëri të pastruar nga plehrat ku do të ndalohet me ligj çdo formë importi e tyre”, shkruan kreu i PS-së.

Për Ramën KQZ e ka humbur besimin dhe legjitimitetin e saj ndaj nuk do të pranohet asnjë lloj reforme zgjedhore pa ndryshuar këtë institucion.

“KQZ e ka humbur plotësisht legjitimitetin e saj qysh pas majit famëkeq të Tiranës, kur u kthye në thertoren e zgjedhjeve lokale. Nevoja për ndryshimin e këtij institucioni është po aq e qartë sa edhe vullneti i Kryeministrit për të mos i hapur rrugë ndryshimit të KQZ-së dhe për ta mbajtur aty në krye kasapin e zgjedhjeve, Arben Ristanin. Për këtë opozita nuk mund të votojë një Reformë Zgjedhore që nuk ndryshon KQZ-në dhe nuk garanton transparencën e zgjedhjeve”, thotë Rama.

Lidhur me kërkesën për referendum të Aleancës Kundër Importit të Mbetjeve, KQZ deklaroi dërgimin e saj në Gjykatën Kushtetuese në janar të vitit të ardhshëm. Sipas Kodit Zgjedhor, për referendumet, kërkesat për referendum që nuk kanë kaluar nëpër të gjitha procedurat e këtij kreu brenda datës 15 mars të çdo viti, pavarësisht se kur janë paraqitur, shtyhen deri në vitin pasardhës. Pra duhej që kjo mbledhje të ishte bërë përpara datës 15 mars të këtij viti. KQZ, e cila miratoi me unanimitet pranimin e kërkesës, miratoi më 4 vota pro dhe 2 kundër datën 3 janar të vitit të ardhshëm si ditën që kërkesa do t’i kalojë Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese duhet të shprehet për kushtetueshmërinë e kërkesës brenda 60 ditëve, pra deri më datë 3 mars 2013. Nëse nuk shprehet, kërkesa quhet e miratuar. Presidenti i Republikës ka 45 ditë kohë nga marrja e vendimit prej Gjykatës Kushtetuese, ose nga skadimi i afatit të saj, për të shpallur datën e referendumit.

Në rastin më maksimal ky afat shkon deri më 17 prill 2013. Mirëpo i njëjti kod i vitit 2003 thotë se referendumi nuk mund të zhvillohet gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të Kuvendit dhe deri në tre muaj pas mbledhjes së parë të Kuvendit të ri. Dhe mandati i kuvendit aktual përfundon në fund të qershorit 2013, kur do të mbahen edhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Parlamenti i ri që do të dalë nga zgjedhjet e vitit 2013, do të mblidhet diku nga gushti ose shtatori. Pra, referendumi nuk mund të mbahet përpara nëntorit 2013. Aleanca kundër importit të plehrave e kuptoi të tërë këtë vetëm në fund të mbledhjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA