Java e Çamërisë vazhdoi me marshimin drejt Kllogjerit, marshim i shndërruar në një aktivitet të përvitshëm në përkujtim të viktimave të genocidit grek kundër popullsisë çame pas Luftës së Dytë Botërore.

Qindra persona, mes tyre drejtues të shoqatëve dhe partive çame udhëtuan në kufirin shtetor me Greqinë e së bashku me ta ishte edhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, Albin Kurti. Ndalesa e parë ishte Kllogjeri ku u përurua nisa e punimeve për ndërtimin e varrezave monumentale në përkujtim të mbi 3 mijë viktimave çame.

Rreth orë 19:00 marshimi vijoi drejt Qafë-Botës ku u mbajtën edhe fjalimet e rastit nga organizatorët. Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi tha se ngritja e varrezave monumentale në Kllogjer ishte një detyrim për paraardhësit dhe hoqi një paralele mes genocidit ndaj çamëve dhe atij të pësuar nga hebrenjtë gjatë periudhës së nazizmit.

“Greqia homogjene sot, është ngritur me asgjesimin e 70 përqind të hebrenjeve dhe thuajse 100 përqind të popullsisë çame, vetëm e vetëm se kjo e fundit i përkiste një komuniteti tjetër etnik, fetar e social”, tha zoti Idrizi.

Është koha për të vënë drejtësi, vijoi kreu i PDIU-së, dhe ajo do të vijë falë përpjekjeve paqësore.

Marshimi simbolik u përshëndet edhe nga kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, zoti Albin Kurti. Kurti vlerësoi se shqiptarët janë populli që kanë pësuar mbi shpinën e tyre mjaft padrejtësi dhe se është koha që këto padrejtësi të zhbëhen.

Mbi 5 mijë shqiptarë të Çamërisë vdiqën 67 vjet më parë në spastrimin etnik të kryer ndaj krahinës shqiptare të mbetur jashtë trojeve etnike në vitin 1913-të. 3 mijë çam u vranë nga forcat greke dhe po kaq humbën jetën në eksodin brenda kufirit të shtetit shqiptar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA