MUSTAFA NANO – Gazetat dhe gazetarët u morën pak me lajmin që thoshte,
se Akademia e Shkencave ka vendosur t’mos e ftojë Rexhep Qosjen në një
veprimtari akademike me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së
pavarësisë.
Folën nja dy gazeta, por folën shkurt; e dhanë lajmin të mbledhur kruspull në një kuadrat të vogël në një nga faqet e brendshme. “Shqipi” i para dy ditëve kish shkuar pak tutje. Kish intervistuar Arben Puton lidhur me këtë çështje, dhe nga ai morëm vesh se ka pasur një lloj debati mes atyre që kanë nën komandë Akademinë në ditët e sotme. Arben Puto përmend Muzafer Korkutin si njeriun që i ka bërë rezistencë të madhe këmbënguljes së ca të tjerëve për ta ftuar Rexhep Qosjen në Tiranë. Dhe ka fituar dora e Muzaferit, që është dhe zv.kryetar i Akademisë së Shkencave. Rexhep Qosja nuk do jetë në Tiranë në konventën akademike që do të mbahet dy ditë para 28 nëntorit.
Të merremi vesh qysh në fillim. Nuk është çështja që nuk ftojnë Rexhep Qosjen; nuk është ndonjë hata që ky i fundit nuk do të jetë në Tiranë atë ditë. Ka shumë kosovarë të tjerë që nuk janë ftuar në atë veprimtari (vetëm kryetari i Akademisë kosovare është ftuar, sipas Putos). Çështja është diku tjetër, është te motivi për të cilin atë nuk e ftojnë. Muzafer Korkutaj qenka shprehur, se “Rexhep Qosjen nuk e ftojmë, pasi ai ka bërë shumë kritika në adresë të Kryeministrit”.
Kjo është, sipas meje, më e rëndë sesa mund të duket. Është një skandal e shkuar skandalit. Kur e lexova për herë të parë këtë xhevahir, kujtova se po më bënin sytë. Kujtova se po shihja ëndërr. E kujt i kish shkuar mendja që do vinte një ditë që zgjedhja e të ftuarve dhe e pjesëmarrësve në një konventë akademike do të bëhej mbi këtë kriter të trashë politik? Me siguri askujt, por ja që jemi në ditën, kur dhe akademikët dhjesin gjak (dhe dhjesin gjak pa asnjë arsye; duhet të jemi të sigurt për këtë; por do të kthehem pak më pas te kjo temë) prej idesë, se Kryeministri mund të zemërohet me ta. As që e çojnë në mendje pra t’ia prishin Kryeministrit. Dhe bën vaki që ky i fundit nuk ua ka kërkuar këtë gjë. Bën vaki që janë vetë këta akademikë që jetojnë me shqetësimin se ai birboja në krye të qeverisë sonë nuk duhet shqetësuar me fytyrën e Qosjes në atë aktivitet, ku ka planifikuar të jetë dhe ai vetë (ma thotë mendja se Qosja, me aq sa e njoh, edhe sikur ta ftonin, nuk do të kish shkuar në këtë aktivitet që është planifikuar si aktivitet regjimi).
Janë disa gjëra që të bëjnë përshtypje në këtë mes. Së pari, akademikët tanë, në shumicën e tyre, nuk i lidh gjë, le të themi në pikëpamje ideologjike, me mazhorancën e sotme. Ata janë të formuar si akademikë në kohën e Enver Hoxhës, e mendja ta thotë se nuk kanë votuar asnjëherë për Berishën e berishianët; janë – sa për ta bërë idenë më të qartë – sëra e Dritëro Agollit, d.m.th janë të dijshëm, janë të zotë në fushat e tyre të kërkimit a të studimit, kanë qenë të lidhur me regjimin e shkuar, i kanë shërbyer atij regjimi, dhe pas vitit 1990, politikisht janë ndier të lidhur me Partinë Socialiste. Përsëris, po flas për shumicën e tyre; dhe për më të zëshmit e më të njohurit. Dhe janë pikërisht këta akademikë që duan t’i bien në sy Kryeministrit, që duan t’i japin prova luajaliteti, e që janë gati të prishen mes tyre në një garë për t’i fituar zemrën atij, që thellë-thellë nuk e shohin dot me sy. Si shpjegohet? E kanë frikë, ashtu siç e kanë shumë të tjerë? Ka për ta dosje, të cilat ua ka në dorë ai? Apo po japin diçka në këmbim të favoreve që ata kanë marrë nga pushteti (djalin, a nusen e djalit, në një punë të mirë, fjala vjen)? Apo janë mësuar të jetojnë nën terrorin e atyre që kanë pushtetin? Një dreq e di. Ajo që dihet është se Akademia është një institucion i pavarur nga qeveria. E për sa kohë që dhe akademikët nuk arrijnë të kenë një pavarësi në gjykimet e veprimet e tyre të natyrës shkencore (është një pavarësi që ua njeh ligji), përfytyroni pavarësinë në gjykime e veprime që mund të kenë Ristanët, Sashenkat etj., etj., të cilëve u mungon, në mos tjetër, qibra intelektuale.
Së dyti, përveç Arben Putos nuk u bë askush i gjallë ta denonconte këtë gjest të ulët prej dhjaksish. Pritej nga shumëkush që kjo gjë të dënohej në kor, dhe kuptohet – më duket dhe e kotë ta përsëris – këtu nuk është fjala për të dënuar faktin që nuk ftuan Qosjen, por për të dënuar faktin që nuk e ftuan ngaqë “ka kritikuar Kryeministrin”. Si nuk u ka rënë keq në stomak akademikëve kjo frazë? Motivime të tilla për të kryqëzuar e ghetto-izuar politikisht njërin prej tyre bien erë të keqe, dhe të vjen çudi se si nuk e kanë menduar se mund të vijë një moment që pikërisht me anë të këtyre motivimeve mund t’ua fusin atyre vetë (merret vesh, nëse do të guxojnë të bëjnë ndonjë qortim në adresë të ‘të madhit’)?
Së treti, ky gjest tregon se ku e se si është katandisur Akademia jonë e Shkencave. Akademikët tanë i janë nënshtruar pushtetit (dhe çfarë pushteti që kemi se!) mú si të ishin policë e doganierë. Kjo Akademi, kështu si është, nuk ka kuptim të mbahet më këmbë me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Ajo duhet mbyllur. Ky është një diskutim i vjetër (më kujtohet në këtë rast Ardian Klosi, që e ka mbrojtur ndër të parët këtë tezë, duke fituar mërinë e heshtur të ‘baballarëve’ të një shkence putative shqiptare), por që do ishte mirë të rihapej. Këta akademikë nuk na janë dashur edhe pa këto bëma kaqolësh, si kjo e lënies së një akademiku jashtë liste për arsye ‘biografie e politike’. Nuk na janë dashur, ngaqë kjo Akademi e tyre përfaqëson, përveç të tjerash, shumë pak nga tharmi akademik i këtij vendi. Duke përjashtuar ndonjë prurje individuale nga radhët e Akademisë, çfarë mbetet prej Akademisë ka bërë për kulturën e shkencën shqiptare shumë më pak sesa kanë bërë individë të veçantë jo akademikë, shumë më pak sesa ka bërë për ca vite Fatos Lubonja me revistën e tij “Përpjekja”, apo Ardian Vehbiu me praninë e tij ‘akademike’ në agora-n shqiptare të dekadës së fundit, apo Aurel Plasari me ndonjë vepër të tijën (sidozot, vepra mbi historinë politike të Skënderbeut), apo Arbën Xhaferri me aktivizmin e tij socio-politik, të cilin e ka ngritur dhe mbajtur, si rrallëkush, në nivele akademike etj., etj.
Së katërti, kjo zbythje e Akademisë përballë tekave, a hijes, a vullnetit të atij që ka nën hyqëm vendin, është një nga zbythjet e fundit që po bëhet. Të tjerët janë zbythur tanimë, o ngaqë kanë ndjekur ca interesa të tyre meskine, o ngaqë janë trembur, o ngaqë s’dinë të bëjnë tjetër në këtë botë, veç të zbythen. Po bien një e nga një individë, biznese, struktura, gazeta, televizione, institucione. Dhe në një psikozë e klimë rënieje, çdo rënie është më e kollajtë se të mëparshmet. Rënia e Akademisë ishte e tillë. Por ishte dhe e turpshme. Mbi të gjitha e turpshme.
Top Channel