
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekoroi të enjten këshilltaren ligjore të Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë, juristen e misionit “OPDAT”, Cinthya Aldridge me “medaljen e mirënjohjes”.
Ceremonia solemne u zhvillua paradite në Institucionin e Presidentit, ku merrnin pjesë ambasadori amerikan, Aleksander Arvizu, Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, kreu i ILDKP-së, Adriatik Lalla, Kryeprokurorja Ina Rama, prokurorë, juristë, etj
Në fjalën e tij, Presidenti Topi përfitoi nga rasti për vlerësuar të gjithë ata prokurorë dhe gjyqtarë të ndershëm, me integritet, të paanshëm, që i bëjnë nder sistemit të drejtësisë.
“Por, është koha më shumë se kurrë”, tha Presidenti, “për të bërë diferencën me njerëzit e pakualifikuar, me njerëzit e anshëm dhe me njerëzit të cilët tentojnë të futen në afera korruptive edhe në sistemin e drejtësisë”. Presidenti e cilësoi këtë një betejë që duhet të zhvillohet nga të gjithë.
Vetë e dekoruara zonja Aldridge, përveç Presidentit falenderoi edhe Shoqatën e Prokurorëve dhe të gjithë prokurorët që e kishin rekomanduar për këtë medalje! “Në të vërtetë”, tha ajo, “e shoh këtë si një vlerësim për ‘OPDAT-in’ dhe jo për mua personalisht”.
Top Channel