Pirlo: Topi i Artë? I pamundur

27/06/2012 10:10

Andrea Pirlo u shpreh qartë mbi mundësitë e tij për të fituar Topin e Artë duke deklaruar se sa kohë që Messi dhe Cristiano Ronaldo do të luajnë futboll, për të do të jetë e pamundur arritja e një objektivi të tillë.

Paraqitja e shkëlqyer e mesfushorit të Italisë në EURO 2012 ka bërë që në mediat italiane të nisë një fushatë pro tij në kuadër të zgjedhjes së lojtarit më të mirë të vitit 2012.

Por vetë Pirlo përjashtoi çdo mundësi në një konferencë për shtyp: “Cristiano dhe Messi shënojnë nga 70 gola në sezon dhe para futbollistëve të tillë e kam të pamundur Topin e Artë.”

Në lidhje me gjysmëfinalen ndaj Gjermanisë, lojtari i Juventusit nënvizoi: “Gjermania është nga ato ekipe që gjithmonë shkojnë deri në fund në turnetë e mëdha. I kemi studiuar dhe kemi besim në mundësitë tona. Gjermania na e ka frikën sepse historia tregon që i kemi mposhtur në ndeshjet e mëdha. Ozil është lojtari kryesor që kanë, është një kampion i madh.”

“Trajneri kërkon që të mbajmë sa më shumë topin sepse kemi cilësi për ta bërë këtë gjë. Mesfusho jonë mund të krahasohet shumë mirë me atë të Spanjës”, tha Pirlo.

Ndeshja Gjermani-Itali do të luhet të enjten (28 qershor, ora 20:45) në stadiumin kombëtar të Varshavës (Poloni).

Top Channel