EURO 2012, Del Bosque: Të ndalim Cristianon

27/06/2012 09:20

“Jemi para ndeshjes më të rëndësishme të jetës. Është një gjysmëfinale dhe luajmë ndaj Portugalisë që është një skuadër e madhe.”

Kështu u shpreh Vicente Del Bosque, trajneri i Spanjës, në prag të sfidës ndaj ekipit luzitan që është e vlefshme për një vend në finalen e madhe të EURO 2012 që do të luhet sot në orën 20.45.

Në lidhje me Cristiano Ronaldon, tekniku spanjoll theksoi: “Është një lojtar i rëndësishëm në futbollin botëror dhe është normale që mediat e ndjekin dhe e shohin me lupë çdo gjë që bën. Do të tentojmë ta bllokojmë ashtu siç bëmë në Botëror. Duhet që lojtarët të ndihmojnë njëri-tjetrin në markimin e tij.”

“Jemi në formë dhe kjo gjysmëfinale vjen në momentin e duhur, por gjithçka mund të ndodhë. Shpresojmë që të luajmë më mirë se Portugalia”, shtoi trajneri i kampionëve të Botës dhe Europës në fuqi.

Më tej, Del Bosque foli për 4 skuadrat gjysmëfinaliste: “Kanë mbërritur deri këtu skuadrat më superiore dhe e kanë merituar këtë pozicion.”

Top Channel