EURO 2012, Bento: Arbitri të mos kushtëzohet

27/06/2012 09:40

Paulo Bento i bëri thirrje arbitrit turk të ndeshjes gjysmëfinale Spanjë-Portugali të mos kushtëzohet nga marrëdhënia me Villar dhe dëshira e Platini gjatë gjykimit të sfidës iberike.

“Askush të mos ndihet nën presion apo i kushtëzuar nga marrëdhëniet apo dëshirat e të tjerëve”, deklaroi Bento duke iu referuar qartë faktit se Angel Villar, presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit kontrollon Komisionin e Arbitrave në UEFA dhe deklaratave të presidentit të UEFA-s Michel Platini, i cili u shpreh se do i pëlqente një finale Spanjë-Gjermani.

Më pas, Bento theksoi: “Kam besim se është bërë zgjedhja e duhur me arbitrin sepse është minimumi që mund të bëhet në një ndeshje kaq të rëndësishme.”

Në lidhje me ndeshjen deklaroi: “Duam të zotërojmë lojën, por e dimë që përballë është një skuadër që në këtë aspekt nuk ka rivalë. Gjithsesi jam i bindur që do të ketë momente ku ne do të dominojmë. E dimë që do të jetë një sfidë e ndërlikuar dhe lojtarët janë shumë të motivuar.”

“Të dielën duam të luajmë në Kiev finalen”, përfundoi trajneri i Portugalisë, Paulo Bento.

Top Channel