EURO 2012, Schweinsteiger në dyshim ndaj Italisë

26/06/2012 08:45

Bastian Schweinsteiger është në dyshim për gjysmëfinalen ndaj Italisë. Mesfushori gjerman ka një problem në kaviljen e këmbës së djathtë që nga muaji shkurt dhe ka luajtur duke “shtrënguar dhëmbët” deri në fund të sezonit për të qenë pjesë e kombëtares për kampionatin europian në Poloni dhe Ukrainë.

“Më shqetëson kavilja. Ndaj Greqisë gabova disa pasime të thjeshta dhe gjithashtu më pengon në sprinte”, thekson një nga kapitenët e ekipit të Joachim Low.

Gjithsesi, lojtari i Bayern Munchen vihet në dispozicion të teknikut për gjysmëfinalen ndaj Italisë.

“Mendoj se mund të luaj, por nëse trajneri vendos që të më ulë në stol, nuk ka asnjë problem”, deklaroi Schweinsteiger për mediat gjermane.

Futbollisti luajti finalen e Ligës së Kampioneve ndaj Chelsea me të njëjtin problem. Kundër Italisë, vendin e tij në formacion mund ta zërë Toni Kroos.

Ndeshja Gjermani-Itali do të luhet të enjten (28 qershor, ora 20:45) në stadiumin kombëtar të Varshavës (Poloni).

Top Channel