Kthimi i emigrantëve nga Greqia

25/06/2012 00:00

Shteti grek, në fillim vitet 90 u shndërrua në një formë magneti për qindra mijëra shqiptarë , të cilët emigruan në masë në këtë vend me shpresen e përmirësimit të jetës së tyre.

Por, sot si rezultat i krizës së rëndë ekonomike mese dy-vjeçare të Greqisë gjithçka ka nisur të ndryshojë me ritme të shpejta.

Nga 500 mijë emigrantët që llogariteshin dikur në shtetin helen, të paktën 15-20 përqind janë rikthyer sërisht në atdhe, në një realitet të vështirë që rezervon jo pak ndikim edhe në ekonomine e brishtë shqiptare.

Zbrazëtia e shoqëruar me qetësine thuaje mbytëse 20-vjeçare tashmë është lënë pas, e fshatra të tëre , atje ku ndihet me shumë, kanë nisur të ripopullohen nga emigrantet e kthyer në shtëpite e tyre.

Rrugicat që heshtën për një kohë të gjatë kanë marrë sërisht ngyrën e gumëzhimave e jetës që dredhon kudo ngadale. E megjithatë, ajo qe i pret nuk është e thjeshtë përkundrazi, pa mbështetje, pa shtytje, me papunësinë shpërthyese e bujqësinë që është e s’është kurrkund, mes
Një realiteti të vështirë e plotesisht të harruar , emigrantet duhet të gjejnë sërisht veten e tyre.

Në fshatrat e Bilishtit, që prej nisjes së krizes në Greqi , numri i të kthyerve sa vjen e rritet. Të rinj, burra e gra, familjarë me femijë që s’kanë pasur zgjidhje tjetër përveçse t’i rikthehen shtëpive të dikurshme, tokës së dikurshme, luftës që i shoqëroi gjatë viteve në emigracion e që nuk i lëshon sërisht edhe sot në tokën mëmë.

Pse po kthehen kaq shumë të rinj? Nuk ia dalin dot andej, s’ka punë, papunësi e madhe. Kjo është arsyeja e vetme. Nuk ia dalin dot me qeratë, as të ngrënat dhe shpenzimet që duhet të përballojnë », shprehet një i riu, që ka ndarë edhe ai të njëjtin fakt.

Ndër fshatra, shumica enden pa një orientim të saktë,  një pjesë mbushin kafenetë  modeste, të tjerë ngrohen në diell e disa vijnë vërdalle larte e poshtë. Kjo është jeta e sotme që në këtë përballje rishtas përsëritet e persëritet çdo dite si një vargan i mërzitshëm e shpresë pakë.

« Përpara se të ikja, isha në zero. Nuk dërgoja gjë në shtëpi, vetëm merrja. Kur ikëm andej dërgonim një pakicë, por të paktën nuk merrnim nga shtëpia dhe jepnim diçka. Tani jemi kthyer prapë nga fillimi e këtu vetëm do marrim, se s’kemi ku nxjerrim gjë tjetër », shprehet një i ri që ka vuajtur vetë pasojat e krizës greke.

Fati nuk është më i mbarë edhe për ata që kanë një copëz toke. Ashtu si për pjesen tjetër, edhe për emigrantet, bujqësia në këtë zone, thonë se nuk sjell gjë, përveçse u merr edhe një pjesë të kursimeve të emigracionit.

Çmimi i naftës, i plehrave, i traktorit që duhet marrë me qera, mungesa e tregut , e ujit e një sërë probleme të tjera mbushin rrjedhen e jetes së re e vështirësive të vjetra.

“Shqipëria është vendi im, kam të gjithë të afërmit këtu dhe kam një copë tokë që mund të prodhoj, por nuk kam ku të shes. Vjet, vëllai bëri shumë patate, rreth tre ton, por iu prishën dhe i hodhi të gjitha në kanal”, shprehet një tjetër banor i fshatrave të Bilishtit.

Shumica e te ardhurave në këto zona vinin nga emigracioni. Ndërsa sot gjithçka është tkurrur e po tkurret çdo dite e më shume, edhe per ata që tentojne ende të sigurojnë diçka nga përtej kufirit

“Më përpara, unë sillja 7-8 mijë euro, sot nuk kam asnjë të ardhur. Maksimumi mund të sjell 500 euro, por çfarë është një shumë e tillë për 5-6 muaj”, shton ai.

Pjesën më të madhe të parave emigrantët i kanë hedhur për të rregulluar shtëpite e tyre. Ndërsa pjesa tjetër në mungesë të të ardhurave po shërben sot për të mbajtur frymen gjallë mes dilemash mes brengash, e mundësish që sot duken se kanë humbur.

“Ka shumë që po kthehen se kanë mbetur pa punë, por me çfarë merren këtu kur kthehen? Me tokat? Edhe nëse i dilet, është ashtu me shumë vuajtje”, shprehet një ish-emigrant.

Rënia e të ardhurave ndihet më shume se kudo ndër dyqanet e pakta të fshatrave ku gjithçka ka nisur te marre formen e listave borxhmëdha. “Ata kthehen tani me nga dy me nga tre femijë , me  gruan, tokë s’kanë, s’kanë nga ia mbajnë, krizë e madhe është. Listat i kemi me nga 200-300 mijë,  i kemi listat këtu për një familje a një person. Ne ia kërkojmë, thonë s’kemi çfare të japim ose na kthejnë ushqimet, pasi s’kanë me të vërtetë para”, dëshmon një shitëse.

“Unë personalisht i kam të dy djemte në Greqi, njerim e kam po më bëhet katër fryme , me nuse , me djalë  e vajzë. Ai do kthehet, toka vetëm për një njeri ka, vetëm për veten e tij. Pse do kthehet? S’ka punë dhe greku nuk i jep paratë. Ka 12 mijë euro për të marrë, djali punon oxhaqe e saldon, por s’i japin lekët. Nuk dimë nga t’ia mbajmë. Nuk po flas për të tjerët, por konkretisht vetëm për veten time”.

Në vitin 2007, emigrantët shqiptarë dërgonin në familjet e tyre rreth 950 milionë euro ose 1.3 miliardë dollare. Por, në fund të 2011-s shifra u tkurr ne vetem 690 milione euro.

Sipas nje studimi te Bankes se Shqiperise, botuar kater vjet me pare ne Shqiperi kishte afro 200 mije familje qe perfitonin te ardhura nga emigracioni. Sipas bankes nese keto te ardhura nuk do te ekzistonin familjet shqiptare ne 40 per qind te rasteve do te jetonin ne varferi ekstreme.

Nje varferi qe po i kercenon sot me shume se kurre kur ky burim te ardhurash po shteron. E teksa kjo po ndodh akush nuk po reagon për tu perballur me kete realitet te ri, duke ngritur politika e strategji zhvillimi qe do ti jepnin  nje shans  e nje frymarrje tjeter  te kthyerve qe te jetojne nje jete te denje ne vendin e tyre.

Top Channel