EURO 2012, Ozil: Spanja, favoritja kryesore

25/06/2012 14:20

Mesut Ozil, mesfushori i kombëtares gjermane, theksoi të hënën në një konferencë shtypi se “Spanja është favoritja kryesore për fitimin e EURO 2012”.

Mesfushori, tre ditë para gjysmëfinales ndaj Italisë, u shpreh qartë se ekipi i Vicente Del Bosque ka mundësitë më të mëdha për tu shpallur kampion Europe.

“Pashë ndeshjen Spanjë-Francë dhe spanjollët dominuan të gjithë takimin. Janë favoritët kryesorë, por tani dua të mendoj vetëm për Italinë. Të fitojmë ndeshjen gjysmëfinale e më pas të shohim nëse në finale luajmë ndaj Spanjës apo Portugalisë”, deklaroi Ozil.

Lojtari i Real Madrid, shtoi në lidhje me formën e tij në këtë EURO 2012: “Unë jam i kënaqur me atë që kam treguar unë dhe skuadra. Deri tani kemi fituar të gjitha ndeshjet e turneut.”

“Jemi më të mirë se në vitin 2010 (Gjermania u eliminua në gjysmëfinalet e Kupës së Botës nga Spanja). Mund të fitojmë ndaj skuadrave të mëdha sepse e kemi përmirësuar më tej lojën tonë”, përfundoi Ozil.

Ndeshja Gjermani-Itali do të luhet të enjten (28 qershor, ora 20:45) në stadiumin kombëtar të Varshavës (Poloni).

Top Channel